Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka organizuar sot një takim me demokratët në qytetin e Elbasanit. Ervin Salianji tha se i vetmi interes që ka është që Partia Demokratike të jetë fituese ndërsa Teatri Skampa ishte mbushur në çdo cep.
Ervin Salianji duket se ka një mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e thjeshtë tek anëtarët e PD-së. Nën shoqërinë e tij është parë edhe ish-deputeti Qani Xhafa.
Gjithashtu pjesë e këtij takimi ishte edhe pedagogu i Universitetit të Arteve, Ardian Isufi. Ish-deputeti Ervin Salianji tha gjatë fjalës së tij se qeveria është ende në pushtet dhe demokratët s’kanë pasur mundësi për ta rrëzuar.
Ai shtoi se qindra demokratë po kërkojnë bashkëbisedime me vetë Salianjin ndërsa nënvizoi se duhet mbrojtur dinjiteti njerëzor.
Sakaq, Ervin Salianji tha se mbledhjet në PD janë shndërruar në gjyq për demokratët ndërsa tregoi se në mbledhjen e fundit është diskutuar 4 orë për të dhe 15 minuta për Edi Ramën.
“Mesazhi duhet të jetë i qartë për një qeveri që nuk e respekton dhe nuk e njeh pronën, familjen, lirinë individuale. Autoritar, përjashtues e grabitqar, po faktohet çdo ditë. Protesta kombëtare është zgjim i madh për të gjithë opozitarët, mesazh i qartë për qeverinë dhe kërkesë që të japin dorëheqjen.
Por çfarë po ndodh në PD? Në vend që të flasim për protesta e strategji kundër Edi Ramës, mbledhjet tona shndërrohen në gjyqe ndaj demokratëve. Në vend që të merremi me gjërat që shqetësojnë qytetarët, mbledhja e fundit ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju dhe 15 minuta për Edi Ramën.”-tha Salianji.
