Bekim Balaj pas fitimit të “Topit të Artë”: Duam titullin kampion

Dy shkodranë fituan “Topin e Artë” në mbrëmjen Gala “Topi i Artë” që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve. Bëhet fjalë për kapitenët Bekim Balaj dhe Megi Doçi.

Gjatë fjalës së tij, pas marrjes së trofeut mes batutash Balaj tha se “shkodranët e kanë tepruar pak”, teksa shtoi se ky trofe për të ishte një tripletë personale.

Por, për sulmuesin nuk mjafton, ai shtoi se tashmë synon që ekipi i tij të fitojë titullin kampion.

“E tepruam pak ne shkodranët sonte. Realisht dua ta nis me një falenderim për djemtë e ekipit kombëtar, që na kanë bërë krenar të gjithë shqiptarët, na kanë bërë që të ëndërrojmë për Botërorin. Meqë jemi te kombëtarja dua të falenderoj misterin tim Xhani De Biazi, më ka bërë që të vesh fanellën kombëtaren.

Është një krenari e madhe. Për të kaluar te “Topi i Artë” një tribletë personale e paplotësuar mund të them, e paplotësuar për titullin kampion. Një gjë që ne në Shkodër e presim, një pritje që zgjat, i mërzit të gjithë dhe ndoshta deri diku jam i lidhur me qytetin, Shkodrën, e kujtoj edhe me vitin që shkoi, thëniet e njerëzve që takoja. ‘T’i gëzosh trofetë, por kupën ku po na i sjell’. Fitimi i titullit është kthyer në obsesion në Shkodër.

Vitin që kaloi i shkuam afër, humbëm një finale, por nuk dorëzohemi. Jam i bindur që do të kthehemi me presidentin Xhaferri në krye, me profesorin tim Martinin dhe gjithë atë grup fantastik që kemi, do tentojmë deri në fund titullin kampion”, tha Balaj.


Shtuar 16.12.2025 09:24