Ervin Salianji do vijojë me takimet me strukturat e Partisë Demokratike.
Kësaj here ish-deputeti do takohet me demokratët e Elbasanit. Siç bën me dije vetë në facebook, Salianji do takohet me PD e Elbasanit nesër në ora 18:00.
Ky takim vjen pas përplasjeve në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, të shtunën ku Salianji pati debate me Flamur Nokën, kreun e PD-së Berisha dhe kreun e PD-së në Elbasan dhe deputetin Blendi Himçi.
Salianji u kritikua në mbledhjen e Kryesisë nga Noka, se po bën një lëvizje brenda PD-së që i shërben Edi Ramës. Ndërsa Salianji mohoi akzuat, duke thënë se në parti duhet lejuar mendimi ndryshe dhe se nuk duhet të jetë ai shënjestra e mbledhjes.
“Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë”, tha ish-deputeti në Kryesi.
Salianji bëri dhe sfidë establishmentit udhëheqës në PD, nëse mund të mbledhin më shumë demokratë në takime se ai.
“Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet.”
