Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazemend Bardhi ka deklaruar ditën e sotme se Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat për Avokat të Popullit, një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm. Përmes një deklarate zyrtare, Bardhi u shpreh se duke shpërdoruar detyrën, Kryetari i Kuvendit përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë.
Bardhi tha se PD po përgadit një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim, për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi. Deputeti i opozitës deklaroi se do t’i kërkoj grupit parlamentar autorizimin përkatës, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme.
Në fund, ai tha se grupi parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur, që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve. Kjo, pasi sipas tij vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian.
Reagimi i Gazmend Bardhi
Nëpërmjet falsifikimit të akteve parlamentare, Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim. Pikërisht duke shpërdoruar detyrën, Kryetari i Kuvendit përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë.
Mirëpo këtë herë Kryetari i Kuvendit ka tejkaluat çdo limit, duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ishin tërhequr nga propozimi i projektvendimit përkatës. Askush nuk mund të përdor jashtë vullnetit të tyre nënshkrimet/propozimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Prandaj sot, kam autorizuar menjëherë ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të përgatisë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, dhe çdokënd tjetër që ka rol në këtë akt të paprecedent të Kuvendit. Ndërkohë që do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme.
Grupi Parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve, sikurse Raport Progresi i Komisionit Europian nënvizon. Vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Përndryshe provohet se kemi kaluar edhe zyrtarisht në një parti-shtet!
