Morën peng një person dhe i kërkuan 70 mijë euro, arrestohen tre vlonjatët (EMRAT)

Policia e Vlorës, ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet se morën peng një shtetas kosovar, Fisnik Xhaka.

Sipas informacioneve policore, në prangat janë vënë shtetasit Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj.

Dyshohet se këta shtetas kanë mbajtur shtetasin kosovar për rreth dy javë në një banesë pranë zonës së quajtur “Rruga e re” ne Vlorë, duke i kërkuar 70 mije euro.

“U bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve: J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij”,– thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, shtetasi kosovar i mbajtur pend është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim.