Mëngjesin e kësaj të premte, Policia e Shtetit finalizoi një aksion në Fushë-Kuqe, duke arrestuar dy persona të cilët kërkoheshin me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar . Të arrestuarit janë Elvin Merlika dhe Fred Xhixha.
Elvin Merlika nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai dyshohet se ka qenë “ushtar” i Ervis Marinajt, duke ndihmuar në planin për të vrarë Indrit Doklen. Emri i Merlikës doli pas dëshmive të dhëna nga “i penduari i drejtësisë”, Nuredin Dumani, i cili ka treguar se ishte pikërisht ky shtetas ai i cili kishte krijuar kushtet materiale për ekzekutimin e Dokles dhe ka komunikuar me Martinajn dhe bashkëpunëtorët për të zbatuar planin e “Mbretit të lojërave të fatit”.
Sipas asaj që Dumani ka thënë më herët, përmes Merlikës, të cilin e njohtë me nofkën “Eli”, ishte bërë organizimi për vrasjen e Indrit Dokles, me një shpërblim prej 500 mijë euro, nga të cilat 100 mijë euro ishin dhënë si parapagim.
“Unë kam marrë porosi nga Ervis Martinaj për të vrarë Indrit Doklen. Kam rënë dakord që Ervisi të më jepte për vrasjen e Indritit, shumën prej 500 mijë euro. Dhe se për të kryer këtë vrasje, kam marrë paradhënie 100 mijë euro. Në emër të Ervisit kam vajtur dhe kam takuar në Kosovë dy shtetas, një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Gjatë takimit Eli komunikoi me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit, komunikova me Ervisin i cili më propozoi vrasjen e Indrit Dokle”, tha Nuredin Dumani më herët në kuadër të hetimeve për operacionin “Plumbi i Artë”.
Sakaq, në janar të këtij vitit SPAK kërkoi dhe konfiskimin e pasurive të Merlikajt, duke përfshirë kuotat në disa kompani si Zeus Garden, M.S.G Security dhe London Eye, si dhe apartamente dhe trualla në Tiranë, Yzberisht, Fushë-Kuqe dhe Priskë.
Sipas hetimeve pasurore, të gjitha këto pasuri janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i të arrestuarit. Ndër pasuritë e sekuestruara janë edhe 9 automjete të ndryshme.



