Një ditë pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Ambasada Amerikane: Dumani vendosi standard për bashkëpunim të fortë kundër krimit

Në ditët e fundit të qëndrimit të tij në detyrë si kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani është takuar me Zëvendësdrejtorin për Çështjet e Evropës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise.

Ambasada Amerikane ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve theksuar këtu dhe punën e zhvilluar me Altin Dumanin, duke përfunduar me shpresën për të vijuar në të njëjtin rrugëtim dhe me pasardhësin e tij.

“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë.

Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Mandati 3-vjeçar i Altin Dumanit përfundon më 16 dhjetor ndërsa ditën e nesërme Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet për të zgjedhur pasardhësin e tij.


Shtuar 10.12.2025 20:30