Burgjet në Shqipëri janë të mbushura me të dënuar të sëmurë, nga të cilët 494 prej tyre nuk duhet të trajtohen si të burgosur mbasi janë me masë mjekësore detyruese dhe vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
906 të tjerë vuajnë nga sëmundje kronike kurse 124 të tjerë trajtohen çdo muaj me metadon mbasi janë kartelizuar edhe si përdorues droge. Këto të dhëna shqetësuese TCH i ka siguruar në një kërkesë të drejtorisë së përgjithshme të burgjeve që ngre shqetësimin dhe kërkon që ministria e shëndetësisë të marrë përgjegjësinë për ata të sëmurë që vuajnë nga shëndeti mendor dhe i janë nënshtruar mjekimit të detyruar.
Jemi në pamundësi absolute deklarohet zyrtarisht nga burgjet për pritjen dhe akomodimin e këtyre personave mbasi kapaciteti është vetëm 200 persona
Ky shqetësim është parashtruar edhe më herët dhe i është dërguar të gjitha gjykatave ku flitet për mbipopullim por edhe për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në shkresë thuhet se megjithëse janë caktuar dy mjekë psikiatër për trajtimin e personave me çrregullim të shëndetit mendor, asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në detyrë. Ndërkohë që në burgun e Lezhës mbahen 294 shtetas tej kapacitetit të shtretërve
Por pavarësisht apeleve gjykatat kanë vijuar të shpallin masat mjekësore bazuar në kërkesat e prokurorëve.
Për këtë kategori të dënuarish ndërkombëtarët kanë ngritur vazhdimisht kritika. Ndërkohë që kategoria tjetër trajtohen në spitalin e burgut në Tiranë, i cili për shkak të mungesës së kushteve i transferon të burgosurit sipas diagnozave në spitalet e tjera. I fundmit që ndërroi jetë ishte i burgosuri Shpëtim Çeliku, sipas njoftimit zyrtar u transferua nga spitali i burgut në qendrën spitalore Nënë Tereza.
