Sali Berisha zbuloi se nuk ka pasur asnjë komunikim me Ervin Saliajin që kur ky i fundit nisi të ashtukonsideruarin “rebelim” që vijoi me takimeve me demokratët në bazë.
Por Ilir Alimehmeti duket se po qëndron në mes. Ish kandidati i demokratëve në primaret për bashkinë Tiranë e që mbeti jashtë Kuvendit në zgjedhjet e 11 Majit, i ka shkuar në zyrë liderit të PD.
Sali Berisha mohoi që dikush mund t’i bëjë presion për poste në PD, edhe pse la të nënkuptohet se do të ketë ndryshime në parti sapo të mbarojë ky mandat në prill!
Analiza e Brendshme e partisë demokratike për zgjedhjet e 11 majit duket se do të çojë në prerje kokash, në kuptimin politik. Vetë Berisha këtë ia la në dorë demokratëve!
Forca më e madhe opozita ka hyrë në një krizë të re tanimë ku paralelisht me foltoren zyrtare, Ervin Salianji dhe disa të tjerë kanë nisur takime paralele, që Berisha I quan takime private, edhe pse aty përdorën gjerësisht simbolet e Partisë Demokratike.
PJESË NGA DEKLARATA E BERISHËS
Foltorja ka qëllimin e vet, një takim dhe debat të hapur pa filtra, para kamerave, me mbështetësit tanë. Ne aty regjistrojmë propozimet e tyre, shënojmë kritikat që ata bëjnë në mënyrë që të përmirësohemi.
Por do të ishte jo e drejtë dhe jo reale, nëse do të pretendohej se me këtë foltore ne ezaurojmë debatin e domosdoshëm të brendshëm në parti, analizën e punës tonë. Ajo do të bëhet në çdo qelizë.
Absolutisht ne nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por ne symbyllas nuk jemi.
Ju e patë vetë, mbaruan zgjedhjet, pati nga ata demokratë që kishin marrë dhe rrogën e deputetit të PD-së, të tjerë anëtarë kryesie, etj., etj., që shkruan, u punësuan, u bënë drejtora, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit.
Është kështu apo jo. Pati të tjerë dhe këto më mirë se unë i dinë vetë strukturat, që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar një ditë. Pati të tjerë që shkuan me pushime në fushatë elektorale, apo që dhe punuan për PS-në. Natyrisht këta do të japin llogari, dhe do jenë strukturat që do përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre. Kjo është gjëja më normale.
Do jenë strukturat ato të cilat do të bëjnë të gjitha propozimet, mendimet, kritikat.
Ne jemi parti e mendimit të hapur, nuk vdesin kurrë, sepse jemi parti e vlerave të lirisë. Kjo është e gjithë puna.
Do të ketë diskutim, do të ketë me dhjetëra, qindra, qindra diskutime. Po të ja themi njëri-tjetrit gjërat, do japim shpjegime, do japim llogari, do mbajmë përgjegjësi. Pra kjo është e domosdoshme.
Atyre që spekullojnë, nuk ndodhi në periudhën që ne po mbronim votën. Mbrojtja e votës për ne ishte e një rëndësie jetike, jo vetëm për PD-në, për Shqipërinë. Ja ku është sot. Axhendë e parë në të gjitha forcat politike të spektrit të djathtë në Europë. 10 ditë më parë në Sao Paulo, në rend dite 4 ishin çështjet kryesore, njëra prej tyre ishte Shqipëria.
Këto u arritën. Tani jemi në një fazë tjetër, në një fazë që ne do të përballemi me këtë të keqe. Kemi këtë mbështetje, këto fakte, këto dokumente, kemi këto arritje në këtë fushë. Atëherë mbetet në guximin tonë dhe ne do ta tregojmë atë.
Pra kjo është, janë gjëra të dukshme. Ka patur që ta dini ju, ka patur denoncime për ‘x’ apo ‘y’ që po punon kundra nesh, por fushata është fushatë. Në fushatë edhe mund të ndërmerreshin masa, sepse aktet më të rënda janë të punosh kundër në betejë, të shmangesh, të dezertosh. Por janë lënë që të bëhet analiza, kjo është.
Do ketë analizë për çdo njeri.
Një parti e lirë nuk njeh kufij, absolutisht secilit nga ne.
Ne do dëgjojmë zërin e tyre.
Ka gjëra që militantët, anëtarët dhe simpatizantët tanë kanë të drejtë, ka gjëra që duhet t’ua shpjegojmë, nuk i dinë, nuk kanë faj, nuk janë informuar, duhet t’i informojmë.
Ju e kuptoni se përpjekje e madhe shumë që ne të mos denonconim krimin elektoral, të mos i dilnim zot votës, përpjekje e jashtëzakonshme nga Edi Rama, kërcënim direkt ndaj drejtuesve të misioneve vëzhguese.
Sikur të ishin në Bandistan dhe jo në një vend anëtar të Këshillit të Europës dhe që ka negociatat.
Ka të tjerë që vraponin o analizë tani, që të bëjmë gjithçka që t’i japim material Edi Ramës për të dobësuar raportin.
Ka të tjerë që prisnin që të mund të thoshin se këto ishin zgjedhjet më të mira në mënyrë që të mohojnë farsën elektorale, të mohojnë narko-diktaturën, të mohojnë diktaturën autoritare.
Po këta janë skllevër, janë mjeranë, nuk e meritojnë lirinë, se këtë që bëjmë ne e bëjmë për çdo shqiptar.
Ne patëm programin më të shkëlqyer në historinë e vendit.
Ne morëm ekspertin më të shkëlqyer të planetit.
Por farsa elektorale jo që nuk u ndalua, por mori përmasat më gjigante se kurrë.
Kështu që ne jemi pra, nuk i mbyllet kujt goja njëherë, kjo të jemi të qartë, e vetmja kërkesë, e vetmja gjë, që kjo analizë të bëhet brenda partisë.
Si ta duan, të hapur për mediat, të mbyllur për mediat, si të kenë qejf, nuk kanë asnjë lloj kufizimi.
