Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, u shpreh se Organizata e partive të djathta, e udhëhequr nga Partia Republikane e SHBA, ka miratuar një rezolutë ku dënohet narko-regjimi në Shqipëri dhe jepet mbështetje e plotë për opozitën shqiptare.
Berisha theksoi se kjo mbështetje ndërkombëtare vjen pas një serie rezolutash të miratuara nga forcat politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në Europë dhe në botë, të cilat dokumentojnë realitetin dramatik të Shqipërisë nën regjimin e Edi Ramës, narko-shtetin që ka shndërruar zgjedhjet në farsë, përdor prokurorinë si armë politike dhe përbën një kërcënim serioz për sigurinë e rajonit dhe më gjerë
FJALA E BERISHES
Një ngjarje e re e madhe ka ndodhur në denoncimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
E regjimit që i ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale.
E regjimit që përdor prokurorinë si armë politike kundër opozitës.
Mbi të gjitha e regjimit që ka ndërtuar në Shqipëri narko-shtetin si kërcënim serioz për sigurinë e rajonit, Europës dhe më gjerë.
Dje në Uashington, në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, forum që bashkon rreth 80 parti politike të djathta dhe të qendrës së djathtë, por që de facto udhëhiqet nga Partia Republikane e SHBA, që përfshin Unionin Bashkimi Demokrat Kristian të Gjermanisë dhe të gjitha forcat politike, Partinë Konservatore të Britanisë dhe forcat e tjera politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në Europë dhe në botë, kanë votuar në unanimitet të plotë, me mbështetje të plotë, pa asnjë vërejtje, rezolutën kushtuar Shqipërisë, rezolutë e cila në harkun kohor 14-mujor, shënon dokumentin e shtatë apo rezolutën e shtatë ndërkombëtarë në të cilën forcat politike të qendrës së djathtë dhe të djathta në botë kanë shprehur mbështetje të plotë për opozitën shqiptare dhe popullin shqiptar ndën një narko-regjim, pra ndën një diktaturë autoritare.
Nga tetori i vitit 2024, forumet apo organizatat e partive të qendrës së djathtë apo të djathta në Europë dhe në botë, kanë votuar 7 rezoluta, nga të cilat dy janë të Unionit Demokrat Ndërkombëtar. Dy janë të Partisë Popullore Europiane, tre janë të Internacionales Demokrate të Qendrës.
Të gjitha këto rezoluta faktojnë para të gjitha partive politike të spektrit qendra e djathtë, e djathtë, realitetin dramatik të Shqipërisë ndën regjimin e Edi Ramës.
Këto rezoluta janë mbështetje e fuqishme për opozitën shqiptare, që përballet çdo ditë me regjimin e bazuar mbi drogën, narko-shtetin.
Janë një mbështetje e fuqishme për popullin opozitar që po përjeton ditët ndër më të vështirat.
Shtypjen e pluralizmit, lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve dhe deputetëve të opozitës.
