SPAK nën përgjim anëtarët e KLP-së? Reagon Prokuroria e Posaçme: S’kemi kryer asnjë veprim hetimor

Prokuroria e Posaçme, ka reaguar pas disa raportimeve se anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë nën përgjim nga SPAK.

Në reagim, SPAK shprehet se asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi.

Gjithashtu, theksohet se Prokuroria e Posaçme “s’ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e KLP dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore”.

“Deklarimet e bëra përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme”, theksohet në reagim.

Reagimi i SPAK:

Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:

1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.

2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.

Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.


Shtuar 5.12.2025 12:41