Mbrëmjen e së enjtes, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, diskutoi mbi situatën aktuale politike dhe zhvillimet brenda PD-së, duke dhënë një sërë deklaratash të forta.
Përballë gazetarit Blendi Fevziu, Salianji foli për demotivimin e strukturave, mungesën e mobilizimit qytetar, nevojën për bashkimin e demokratëve, si dhe rolin e tij në Kryesinë e partisë. Ai theksoi domosdoshmërinë për rikthimin e meritokracisë në PD dhe vlerësimin e çdo kontributi.
Ai u përgjigj edhe pyetjes se përse nuk kandidon për kryetar partie në PD përballë Berishës.
Ervin Salianji: Defekti është ky, që ne duhet të gjejmë dy rrugë, ose të motivojmë shqiptarët që të dalin e të mbushin sheshet, ne na mungon një bulevard.
Blendi Fevziu: Çfarë ju pengon që ta bëni këtë?
Ervin Salianji: Demotivimi i strukturës, demotivimi i demokratëve. Na mungon një bulevard sepse pjesa më e madhe e protestuesve na vjen nga struktura.
Blendi Fevziu: Struktura është e pamjaftueshme për të fituar zgjedhje. Ju nuk keni asnjë impakt tek elektorati gri dhe te qytetarët përtej strukturës.
Ervin Salianji: Po të flas hapur, kur ne kemi motivuar strukturat kujton se nuk e dimë që nuk kemi qytetarë në shesh. Duhet të kthejmë meritën dhe të vendosim disa kritere. Duhet të bashkojmë Partinë Demokratike.
Blendi Fevziu: A keni ju mbështetje brenda PD-së?
Ervin Salianji: Deputetët është menduar që të ketë një institucion, që është Grupi Parlamentar që i shprehin shqetësimet e tyre dhe për këtë arsye është menduar që ne, unë si anëtarë i Kryesisë të PD t’i jap zë kujtdo që nuk ka zë .
Blendi Fevziu: A keni folur ju në Kryesi për këtë gjë?
Ervin Salianji: Në çdo mbledhje.
Blendi Fevziu: Për katër muaj zhvillohet Kuvendi i PD, ka zgjedhje. Pse nuk kandidoni ju me një platformë për kryetar partie përballë zotit Berisha?
Ervin Salianji: Nuk e kam unë këtë! Nuk e kam vendosur! Unë po them këtë që PD duhet të fuqizohet me të gjithë elementet e saj. Ne duhet të vlerësojmë kontributin e çdo kryetari edhe në seksionin më të largët.


