Këtë të enjte, në GJKKO ka dëshmuar Xhemal Lici, kambisti që u grabit nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ndodhet në burg.
Ai ka rrëfyer me detaje ngjarjen, ndërsa thotë se grabitja ka ndodhur në mëngjes, kur sapo ka dalë nga shtëpia.
Kambisti tha se nuk e kishin menduar se do ta qëllonin, ndërsa tregon se me vete kishte 120 milionë lekë.
“Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Kisha 12 milionë lekë të reja me vete, në një çantë, që i lashë në bagazhin e makinës dhe po kthehesha të mbyll derën e shtëpisë, kur u sulmova”, tha Lici.
Sipas dëshmisë së tij, sulmuesit ishin katër persona. “Më qëlloi njëri, dy herë në gjoks dhe dy në këmbë,” tregoi ai.
“Unë dilja në 6:30 nga shtëpia në lagjen Kala në Elbasan. Dola, nuk pandeha se do më qëllonin. Dola dhe futa lekët në makinë. Kisha 12 milionë lekë të reja me vete. I kisha në një çantë lekët. I lashë lekët në bagazh dhe u ktheva të mbyll derën e shtëpisë. Pastaj pash që ishin 4 vete. Më qëlloi njëri, 2 herë në gjoks dhe 2 në këmbë”, tha ai.
Dëshmitari tregoi se pas ngjarjes, disa herë vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, i kishte shkuar në dyqan dhe e pyeste nëse kishte mësuar se kush ishin ata personat.
“Ai punonte taksixhi në të zezë. Thyente ndonjë 20-30 euro. Kur nuk kishte njerëz aty, pyeste. I thashë, ty nuk të vjen keq për mua. Duket sikur ke mizë në kësulë. Ke ardhur deri tani, mos të të shoh më në dyqan”.
Dëshmitari rrëfeu se nuk e njihte Talo Celën, por se e kishte parë në TV.
“Një vit para se të fliste Dumani unë e pashë Talo Çelën në një intervistë në televizion dhe e njoha, nga përmasat e trupit, si një nga personat që më ka goditur në ngjarje. Ai ka qenë pas Dumanit në ngjarje”.
