Ndryshimet e Komisionit të Ekonomisë: Fshihen detyrimet e papaguara për taksat vendore deri në 2014

Në diskutimet nën për nen të paketës fiskale, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi disa ndryshime në projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.

Një nga pikat kryesore të miratuara, lidhet me fshirjen e plotë edhe të taksave dhe tarifave vendore që u përkasin periudhave tatimore deri në vitin 2014.

Drafti i propozuar nga Ministria e Financave, parashikonte fshirjen e plotë vetëm të detyrimeve të papaguara të bizneseve në tatime dhe dogana deri në 2014.

Amendimet e miratuara u propozuan nga deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe.

Deputeti Braçe, kërkoi gjithashtu që të përfshihen në skemën e lehtësimit edhe detyrimet e tjera vendore më të vjetra se 10 vite, duke propozuar që bizneset të kenë mundësinë t’i shlyejnë me pagesë të 50% të vlerës, ndërsa 50% e mbetur të falet.

Sipas tij, e njëjta mundësi që u jepet detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave duhet t’u jepet edhe detyrimeve ndaj pushtetit vendor.

Komisioni miratoi amendimet e deputetit Ejon Braçes për nenin 6 të projektligjit, ndërsa rrëzoi një pjesë të amendimeve të deputetit të partisë Demokratike Enno Bozdo, e cila propozoi që nga fshirja të përjashtohen individët që zotërojnë disa subjekte që kanë përfituar financime publike pas vitit 2015, apo që kanë deklaruar bilance pozitive pas vitit 2020.

Ministria e Financave, argumentoi se një kriter i tillë do ta bënte skemën të pazbatueshme për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së plotë, ndaj mbeti në fuqi parimi i universalitetit.

Projektligji përcakton se për të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore direkte apo indirekte të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e tyre, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për këto të fundit do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, por jo kontributet.

Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme: nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet; ose, nëse paguajnë 75% deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026./Monitor