Ervin Salianji, ndërsa po futej në sallën për takimin me demokratët sot në Durrës, u shpreh se qëllimi i këtyre takimeve është është ringritja dhe zgjimi i PD-së.
“Është salla plot. Ka edhe njerëz jashtë. Është me shumë rëndësi që cilido prej politikanëve, sidomos ata të PD-së, të kthehen te njerëzit. Te kafenetë, te takimet, që të bëjmë të mundur zgjimin e PD-së dhe ngritjen e saj. Do të jem në çdo takim të demokratëve, për t’i dëgjuar njerëzit dhe për të ndarë mendimet se si PD mund të bëhet alternativë që mund ta mundë Edi Ramën.
Në këtë takim janë të gjitha strukturat e PD-së. Janë lista më e votuar e PD-së në Durrës. Janë njerëz që nuk kanë pasur përfaqësim për të qenë pjesë e strukturave. Ne kemi menduar, ashtu si edhe organizatorët, që të jetë një format ku të flitet hapur dhe qartë, për të çuar mendimet atje ku duhet.
Qëllimi i çdo takimi është ringritja dhe zgjimi i PD-së. Ky është i vetmi qëllim imi”, tha Salianji për mediat.
Në këtë takim që po mbahet nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, janë bashkuar dhjetëra demokratë të Durrësit. Kujtojmë se takimi i sotëm është vijim i atij të mbajtur disa ditë më parë në Tiranë, me kandidatët më të votuar të PD nga listat e hapura të 11 majit.
