Pezullimi i Belinda Ballukut, Gjykata Kushtetuese shtyn sërish datën e shqyrtimit: Çështje komplekse

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish seancën ku do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre.

Mësohet se mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese do të mblidhet më 12 dhjetor 2025.

Kushtetuesja argumenton se shtyrja është bërë për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe prej kërkesës së disa prej anëtarëve të saj.

Kujtojmë se seanca ishte planifikuar të mbahej këtë të enjte më 4 dhjetor, për të diskutuar mbi kërkesën e qeverisë dhe nëse do të kalohet apo jo për shqyrtim.

NJOFTIM PËR SHTYP

Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.

Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.


Shtuar 3.12.2025 16:17