Zbardhet vrasja e biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan, identifikohen autorët

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, të vrasjes së 43-vjeçarit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.

Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, u arrestuan shtetasit Xhino Ago dhe Kujtim Pisha, si edhe u shpallën në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola.

52-vjeçari, u arrestua për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).

Gjatë veprimeve hetimore, u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

Xhino Ago, 32-vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Kujtim Pisha, 52-vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim shtetasit Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola, 35-vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 2.12.2025 11:11