Kualifikimi në Botëror/ Shqipëria “kërcënon” të pasurit, por Kosova na parakalon

Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në “Play Off” të Kupës së Botës, aty ku do të provojë shanset e saj në duelin kundër Polonisë.

Nëse kuqezinjtë arrijnë të fitojnë sfidën e parë në Varshavë, atëherë do të kenë përballë fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

Natyrisht që për Shqipërinë, do të jetë një rrugëtim i vështirë duke parë edhe emrat që Shqipëria ka përballë, por shorti mund të ishte treguar edhe më i ashpër me kuqezinjtë, pasi janë shmangur emra si Turqia apo Italia që mund të kishim në një finale të mundshme.

Gjithsesi, nëse shohim emrat dhe vlerat e kundërshtarëve të Shqipërisë, bëhet fjalë për skuadra shumë më të forta se skuadra jonë Kombëtare, megjithatë kuqezinjtë kanë treguar shpesh herë se ndaj skuadrave me emër, dinë të luajnë futboll dhe madje të bindin. Kështu, diçka të tillë duhet ta vërtetojnë edhe një herë tjetër në ndeshjen e 26 marsit.

VLERAT- Shqipëria nuk ka pasur shumë ndryshime në listën e lojtarëve, duke grumbulluar thuajse të njëjtët futbollistë në të gjitha kualifikueset e Botërorit. Kështu, vlera e kuqezinjve sipas “Transfermarkt”, arrin në 88 milionë euro duke qenë njëkohësisht një nga vlerat më të ulëta të 16 skuadrave të kualifikuara për në “Play Off”.

Nga lojtarët që Silvinjo ka grumbulluar në këtë fushatë kualifikuese, Armando Broja është futbollisti me vlerën më të lartë në treg. Sulmuesi që aktivizohet me Bërnlein, e ka vlerën e kartonit të tij 14 milionë euro, ndërkohë që ndiqet në vendin e dytë nga Kristjan Asllani me vblerën 13 milionë euro. Sulmuesi Mirlind Daku renditet i treti, vlera e të cilit ka arritur në 10 miulionë euro ndërkohë që 7 milionë euro është vlera e Uzunit. “Top 5” mbyllet me Berat Gjimshitin dhe Ardian Ismajlin, vlera e të cilëve arrin në 6 milionë euro.

RIVALËT- Në ndeshjen e parë, Shqipëria do të ketë përballë Poloninë, kundërshtar të cilin e njeh mirë duke qenë se në ndeshjet e fundit është përballur shpesh me të. Veç eliminatoreve të Botërorit të shkuar, Shqipëria e kishte Poloninë edhe në grupin e kualifikueseve të Europianit ku mori një fitore që e ndihmoi jo pak për të shkuar në Europian. Sipas “Transfermarkt”, vlera e Polonisë është 166 milionë euro, thuajse dyfishi i vlerës së Shqipërisë.

Lojtari më i shtrenjtë për skuadrën polake, është mbrojtësi i Aston Vijës, Mati Kash, vlera e të cilit arrin në plot 25 milionë euro. Të njëjtën vlerë, ka edhe qendërmbrojtësi Kivior që aktivizohet me skuadrën e Portos. Ndërkohë, në “Top 5” e Polonisë, renditen edhe Zalevski me 17 milionë euro vlerë, e mbyllet me Zymanskin e Grabaran me nga 14 milionë euro.

Vlerë të lartë ka edhe Ukraina me Suedinë, sidomos këta të fundit. Vlera e Ukrainës sipas “transfermarkt”, arrin në 274 milionë euro, ndërsa Suedia është ndër skuadrat me vlerën më të lartë, që kap shifrën e 517 milionë eurove.

KOSOVA- Dardanët kanë aktualisht vlerë më të lartë se kuqezinjtë. Skuadra e Kosovës kap vlerën e 131 milionë eurove dhe kushton vetëm 8 milionë euro më pak se Sllovakia, rivalja e saj në gjysmëfinale. Lojtari më i shtrenjtë i Kosovës, është sulmuesi i Juventusit Edon Zhegrova, kartoni i të cilit arrin në 25 milionë euro dhe ndiqet nga Fisnik Asllani me vlerë 18 milionë euro. Pesëshja më e shtrenjtë, mbyllet me Amir Rrahmanin, Albian Hajdarin dhe Leon Avduallahun, të cilët kushtojnë nga 12 milionë euro. Dy të fundit, u afruan rishtazi te Kosova pasi vendosën që të largoheshin nga Zvicra.

SKUADRAT MË TË LIRA- Shqipëria renditet e katërta si skuadra me vlerën më të ulët në “Play Off”, ndërkohë që vendin e parë e mban Maqedonia e Veriut. Kualifikimi i tyre ka ardhur për shkak të Ligës së Kombeve ndërkohë që në kualifikuese morën rezultate surprizë duke barazuar me Belgjikën, por edhe duke u turpëruar nga Uellsi. Vlera e Maqedonisë arrin në 38 milionë euro, e ndjekur nga Irlanda e Veriut me vlerë 82 milionë euro e më pas nga Rumania me vlerë 86 milionë euro. TOP 5- Italia është padyshim skuadra me vlerën më të lartë në “Transfermarkt”, nga të gjitha skuadrat e kualifikuara në “Play Off”, vlera e të cilëve arrin në 846 milionë euro. Në vendin e dytë është Suedia me 517 milionë euro, e ndjekur nga Danimarka me 399 milionë euro e më pas Turqia me 337 milionë. Vendin e pestë, e mban Ukraina, vlera e së cilës arrin në 274 milionë euro.


Shtuar 26.11.2025 12:43