Dhëndri helmoi prindërit e nuses me valium për t’u vjedhur pensionin, flet e moshuara: Na erdhi në shtëpi, na pyeti si jeni, më pas… (VIDEO)

E moshuara e cila u helmua me valium nga dhëndri i saj Ismail Kllogjri në Librazhd, ka folur për News24. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 22 nëntor në Librazhd, ku dhëndri u dha prindërve të nuses se tij doza të mëdha valiumi për t’i vënë në gjumë të thellë, në mënyrë që ai të mundej t’u vidhte paratë e pensionit të çiftit të moshuar.

E moshuara thotë se ditën e ngjarjes ajo ishte duke qëndruar në shtëpi më bashkëshortin e saj, kur në banesë i vizitoi dhëndri.

Ajo tha se dhëndri u fut në shtëpi dhe i pyeti se si janë. Këto janë momentet e fundit që ajo mban mend, pasi më pas ka rënë pa ndjenja si pasojë e dozës së valiumit që i kishte dhënë dhëndri.

“Unë isha duke ndenjur dhe ai erdhi dhëndri dhe pyeti ‘ si je mirë’ kaq gjë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Erdhi çuni prej Greqie me gjithë nuse dhe na gjetën pa ndjenja”, tha e moshuara.

Kujtojmë se hetimet e policisë lidhur me ngjarjen nisën pasi çifti i bashkëshortëve ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore, të dyshuar për intoksikim.

Nga hetimet rezultoi se dhëndri i tyre, 36-vjeçari Ismail Kllogjri, dyshohet se u ka dhënë një dozë të lartë medikamenti qetësues duke u shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Opportunity”

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Librazhd, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

I dha çiftit të moshuar një dozë të lartë medikamenti qetësues (valium) dhe më pas vodhi një shumë parash në banesën e tyre; identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura dhe një celular.

Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit “Opportunity”, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. K., 36-vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autori, i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre), dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre. Të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 25.11.2025 12:33