Festivali i RTSH, i cili pritet të hapë siparin shumë shpejt, duket se këtë vit po e nis me një tjetër skenë para skenës. Jo me muzikë, por me debatet për zgjedhjen e moderatorëve. Ndërsa publiku pret emrat, në korridoret e televizionit publik diskutimet janë ndezur.
Sipas burimeve të “Pamfleti”, Këshilli Drejtues i RTSH ka preferencë të qartë për Flori Gjinin dhe Fjodora Fjorën. Të dy janë pjesë e stafit të RTSH, një zgjedhje që do të ulte kostot në një periudhë ku televizioni publik po kalon vështirësi financiare. Por ky propozim nuk është pritur njësoj mirë nga bordi i Festivalit.
Drejtoresha artistike, Elhaida Dani, flitet se ka një dëshirë të fortë për ta sjellë Salsano Rrapin në skenë, duke i dhënë festivalit energjinë e tij të humorit dhe spontanitetit. Salsano, nga sa mësohet, e ka siguruar edhe miratimin e drejtuesve të TCH për të marrë pjesë.
Debati zgjerohet edhe më tej me emrin që do të prezantojë krah tij. Fillimisht u mendua Jondia Shehu, por duke qenë se Festivali synon një frymë më të re këtë vit, është hedhur në tavolinë edhe emri i Arilena Arës. Megjithatë, pjesëmarrja e saj është ende e paqartë, pasi kërkesat financiare mund të jenë të papërballueshme për RTSH, i cili prej pak kohësh është shpallur në faliment.
Mes dëshirave artistike dhe realiteteve financiare, Festivali i RTSH mbetet në udhëkryq. Vendimi përfundimtar pritet të merret shumë shpejt, ndërsa publiku vijon të hamendësojë se cilët do të jenë fytyrat që do të hapin netët magjike të festivalit.
