“Kemi çarje në disa nga argjinaturat e lumenjve”, Ministri i Bujqësisë nga Korça: Do të evidentohen dëmet e fermerëve, blegtorëve dhe sektorit bujqësor

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kanë inspektuar nga afër pasojat e reshjeve të dendura në qarkun Korçë. Në një prononcim për mediat, Salla bëri me dije se reshjet kanë shkaktuar disa çarje në argjinaturat e lumenjve, duke rrezikuar tokat bujqësore dhe prodhimet e fermerëve.

Ai njoftoi gjithashtu se do të nisë procesi i evidentimit të dëmeve, me qëllim që fermerëve të prekur t’u sigurohet kompensimi për humbjet e shkaktuara nga fenomenet atmosferike.

“Siç e shikoni, jemi bashkë me ministrin e mbrojtjes dhe ekipin e Agjencisë Civile, ku bashkë me bordin e kullimit dhe bashkia që ka qenë gjithë kohës prezente në situatën që ka ndodhur ditët e fundit, ne kemi disa çarje në disa nga argjinaturat e disa lumenjve. Këtu jemi në një nga rrugët ku ne jemi duke shkuar për në çarjen, në mënyrë që sonte apo nesër në mëngjes të kemi arritur të përmbyllim pjesën e dëmeve, çarjeve të argjinaturave. Ne pak më parë ishim në një tjetër problematikë ku jemi drejt përfundimit. Këtu kemi bërë një devijim ku ujërat tashmë janë në drejtim të lumit, nuk ka më çarje nëpërmjet ujërave në toka bujqësore dhe kjo rrugë është duke u bërë për të kaluar dhe për të çuar të gjithë materialin e duhur në mënyrë që mos të kemi më problematikë gjatë çarjes së argjinaturës së lumit.

Sa për dëmet, ne do të evidentojmë pas mbarimit të gjithë problematikave në të gjithë territorin e Shqipërisë, atje ku kemi pasur dëme, do të evidentojmë pasi të kemi përmbyllur gjithë procesin e dëmeve ku realisht ka në disa nga shtratet e lumeve apo problematikat në disa argjinatura, të cilat janë drejt përfundimit edhe në Sarandë, Fier e Lezhë ku kemi qenë prezent. Më pas do të vazhdojmë me evidentimin e të gjitha problematikave që janë ndaj fermerëve, blegtorëve dhe sektorin bujqësor. Ne jemi në fazën e mbylljes së problematikave, më pas do vazhdojmë me evidentimin e dëmeve për çdo fermer shqiptar,” tha Salla.


Shtuar 23.11.2025 19:53