“Asnjë mirënjohje nga udhëheqja ukrainase”/ Bisedimet në Gjenevë për paqen dhe kritikat nga Trump, reagon Zelensky: Falenderime për çdo lider që na mbështet

Pak orë pas kritikave që Donald Trump bëri ndaj Volodymyr Zelenskyt dhe liderëve europianë përmes një postimi të tij, presidenti ukrainas, përmes një postimi të ri në X, falenderoi liderët europianë për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Zelenski shkroi se kishte zhvilluar një bisedë të përbashkët me kryeministrat e Kroacisë dhe Luksemburgut, të cilëve u dha informacion mbi punën diplomatike lidhur me propozimin amerikan dhe takimet në Gjenevë.

“Shpresojmë për një rezultat që do të hapë rrugën drejt një paqeje reale dhe të qëndrueshme,” theksoi ai.

Ai gjithashtu shprehu “mirënjohjen ndaj çdo lideri dhe ndaj të gjithëve në mbarë botën që mbështesin Ukrainën dhe parimet që ne mbrojmë”.


Ndërkohë që diskutimet në Gjenevë përfshijnë planin amerikan me 28 pika për Ukrainën, Donald Trump sulmoi në një postim të tij Volodymyr Zelenskyn dhe liderët europianë.

“‘Liderët’ e Ukrainës nuk shprehin asnjë mirënjohje për përpjekjet tona,” shkroi Trump në Truth, duke shtuar se Europa vazhdon të blejë naftë nga Rusia. Ai akuzoi administratën Biden për dhënien e armëve falas në Ukrainë dhe theksoi humbjet njerëzore si pasojë e konfliktit.

Diskutimet në Gjenevë

Përpjekja e re e administratës Trump për një marrëveshje paqeje po përshpejtohet, ndërsa emisarët amerikanë kanë shkuar në Gjenevë për bisedimet që nisën të dielën në mesditë me presidentin Zelensky. Përkundër skepticizmit të gjerë, zyrtarët amerikanë thonë se diskutimet janë një negociatë fleksibile dhe jo një ultimatum ndaj Kievit.

Presidenti ukrainas e njoftoi fillimin e bisedimeve, duke theksuar se “derdhja e gjakut duhet të ndalet”. Zyrtarë të lartë nga SHBA, Ukraina dhe këshilltarë për sigurinë kombëtare nga BE, Franca, Britania dhe Gjermania janë në qytetin zviceran për të diskutuar rreth planit amerikan për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Përfaqësuesit amerikanë janë emisari special Steve Witkow dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndërsa ministri i Mbrojtjes Daniel Driskoll kishte mbërritur më parë.

Qëllimi kryesor i bisedimeve është finalizimi i detajeve të fundit të planit amerikan për përfundimin e konfliktit. “Shpresojmë të rregullojmë detajet për të arritur një marrëveshje në dobi të Ukrainës,” tha një zyrtar amerikan, duke shtuar se “asgjë nuk do të finalizohet pa takimin e dy presidentëve,” Trump dhe Zelenski.

Sipas burimeve pranë procesit, qeveria amerikane e pranon se garancitë e sigurisë në planin 28-pikësh nuk janë ende të mjaftueshme. Po shqyrtohet mundësia për ndryshime, si rritja ose heqja e kufirit të propozuar prej 600,000 ushtarësh për forcat e armatosura ukrainase.

Gjithashtu, si pjesë e përpjekjes për të rritur aftësinë mbrojtëse të Ukrainës pas luftës, mund të ofrohen raketat Tomahawk në kuadër të garancive të sigurisë, nëse arrihet marrëveshje paqeje.


Shtuar 23.11.2025 18:27