Reshjet e dendura dhe përmbytjet kanë detyruar shërbimet e Policisë së Beratit dhe strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal të ndërhyjnë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 persona, përfshirë një të moshuar 100-vjeçe nga Çifliku.
Në Devoll, Policia iu drejtua banorëve të fshatit Progër pas përmbytjeve që kanë përfshirë zonën. Prej mëngjesit, forcat e rendit po vijojnë kërkimet për një 75-vjeçare nga i njëjti fshat, e cila është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ajo dyshohet se mund të ketë rënë në rrjedhën e ujit.
Policia Rrugore ka shtuar prezencën në të gjitha akset rrugore për të parandaluar aksidentet dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës. Specialistët policorë janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët lokalë për të koordinuar ndihmën ndaj banorëve.
Njoftimi:
Policia e Shtetit vijon të jetë në gatishmëri të përforcuar për shkak të motit të keq. Shërbimet e Policive Vendore, Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat shkuan në ndihmë të banorëve, ku u kërkua ndihmë. Në zonat më problematike u angazhuan edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe të Delta Forcës.
Edhe gjatë ditës së sotme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçe nga fshati Çiflik.
Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje. Prej mëngjesit, shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.
Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.
Gjithashtu, specialistët e Policisë në zona janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave dhe administratorët e njësive administrative, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve në rast nevoje.
