Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka marrë draftin e planit të paqes nga SHBA-së dhe do të diskutojë pikat kyçe për të arritur paqen në ditët në vijim me Presidentin Donald Trump.
“Jemi të gatshëm të punojmë në mënyrë konstruktive me palën amerikane, si dhe me partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën, në mënyrë që rezultati të jetë paqja”, thuhet në një deklaratë të postuar në Telegram.
Deri më tani, plani amerikan ka shkaktuar një reagim nga Evropa, ku thumbat kryesore janë kërkesa e Uashingtonit që Kievi të pranojë lëshimin e territorit dhe kufizimin e forcave të armatosura.
Më herët, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas një takimi të ministrave të jashtëm, deklaroi se ka një ‘plan me dy pika’ të thjeshtë i cili konsiston në dobësimin e Rusisë dhe mbështetjen e Ukrainës”. Ajo u pyet se si Europa do të siguronte që të kishte të drejtë fjale në çdo bisedime paqeje për Ukrainën.
“Planet e paqes nuk mund të kenë sukses nëse evropianët dhe ukrainasit nuk bien dakord për këtë. Kjo është arsyeja pse i përqendruam diskutimet e sotme në atë që po bëjmë dhe cili është kursi ynë i veprimit”, tha ajo.
Kallas tha se BE-ja do të punojë për të vendosur më shumë sanksione ndaj flotës së fshehtë ruse dhe atyre që e lehtësojnë atë.
“Ne tashmë po kemi një ndikim të madh, nëpërmjet këtyre sanksioneve kundër flotës në hije, në të ardhurat ruse nga nafta”, tha Kallas.
Megjithatë, mospajtimi qendror i Evropës kristalizohet në deklaratat e Ministrit të Jashtëm Francez Noel Barrot se paqja nuk mund të jetë kapitullim.
Çfarë përfshin plani i Trump?
Një raport i Financial Times pohon se zyrtarët amerikanë, përfshirë të dërguarin Witkoff, kanë hartuar një kornizë paqeje prej 28 pikash për të përfunduar luftën, e cila thotë se Ukraina.
• Lëshon pjesën tjetër të rajonit lindor të Donbasit, duke përfshirë territoret nën kontrollin e Kievit.
• E zvogëlon madhësinë e forcave të saj të armatosura përgjysmë.
• Braktis kategoritë kryesore të armëve, ndërsa njëkohësisht po tërheq ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën.
• Rusishtja njihet si gjuhë zyrtare shtetërore në Ukrainë.
