Elon Musk ka dhënë një prej deklaratave më tronditëse të viteve të fundit mbi të ardhmen e njerëzimit. Duke folur në Forumin e Investimeve SHBA-Saudite në Uashington, miliarderi i teknologjisë tha se inteligjenca artificiale dhe robotët humanoidë do të transformojnë kaq thellë ekonominë globale, sa brenda 10 deri në 20 viteve puna tradicionale nuk do të jetë më e domosdoshme. Sipas tij, njerëzit do të punojnë vetëm për qejf, ashtu siç luajnë sporte apo lojëra kompjuterike.
Musk u shpreh se përparimi i robotikës dhe AI do të eliminojë varfërinë, duke e kthyer mungesën e mjeteve në një “problem inxhinierik” dhe jo shoqëror. Sipas tij, robotët do të kryejnë shumicën dërrmuese të punëve, ndërsa njeriu do të ketë luksin ta zgjedhë vetë nëse dëshiron të punojë apo jo. Ai e krahasoi të ardhmen me mundësinë për të shkuar në dyqan dhe për të blerë gjithçka që të duhet, ose për t’i rritur vetë perimet në oborr, thjesht sepse të pëlqen procesi.
Në të njëjtën skenë, Musk foli edhe për një partneritet të madh teknologjik: kompania e tij xAI do të bashkëpunojë me Humain, një firmë të mbështetur nga shteti saudit, për të ndërtuar qendrën më të madhe të të dhënave të xAI jashtë SHBA-së. Projekti do të mundësohet nga deri në 500 megavat energji elektrike dhe po zhvillohet në bashkëpunim me Nvidia. Ky është një sinjal i qartë se gara globale për inteligjencën artificiale po bëhet edhe më intensive, me investime që shkojnë shumë përtej industrisë së teknologjisë.
Megjithëse vizioni i Musk është tejet optimist, ai e pranoi se ky ndryshim kërkon kohë, infrastrukture të re dhe riorganizim të të gjithë sistemit shoqëror. Por sipas tij, drejtimi është i pandalshëm: shoqëria do të evoluojë drejt një realiteti ku puna fizike nuk do të jetë më e nevojshme dhe ku koncepti i parasë mund të humbasë gradualisht rëndësinë.
Nëse këto parashikime realizohen, brezat e ardhshëm mund të jetojnë në një botë ku puna nuk është më detyrim, por zgjedhje. Për momentin, mbetet vetëm të shohim sa shpejt do të ecë teknologjia drejt këtij revolucionit të ri.
