Situata në Qarkun e Kukësit deri në orët e mbrëmjes së sotme (18 nëntor) vazhdon të jetë kritike për shkak të reshjeve të shiut me intensitet mesatar, të cilat kanë përfshirë të gjithë territorin e qarkut.
Reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në rrugët nacionale, duke krijuar rreziqe për qarkullimin, ndërsa subjektet kontraktore vijojnë punën intensive për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre. Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.
Situata në Bashkinë Kukës:
Sipas raporteve të administratorëve vendorë, situata në njësitë administrative është si më poshtë:
Njësia Administrative Ujmisht: Rënie gurësh dhe inertesh në rrugët e fshatrave Lusën, Malqenë dhe Tejdrinë.
Njësia Administrative Zapod: Rënie gurësh dhe inertesh, si dhe prurje të mëdha nga përrenjtë.
Njësia Administrative Kolsh: Si pasojë e vërshimeve janë dëmtuar rrugët e fshatit Myç-Mamëz dhe Mamëz të aksit rrugor Kukës–Surroj.
Fshati Bele: Si rezultat i erës është dëmtuar mbulesa e një qati të shkollës.
Situata në Bashkinë Tropojë:
Dëmtime të konsiderueshme janë evidentuar në disa ura, ku prurjet e mëdha të ujit dhe amortizimi kanë shkaktuar dëmtime në këmbët mbajtëse dhe shtrojën e tyre. Urat më të prekura deri tani janë:
Ura e Mërturit (Lekbibaj): Urë beli me konstruksion metalik; dëmtim i dërrasave; aktualisht e pakalueshme; përdoret çdo ditë nga nxënësit e zonës Nik-Mërtur.
Ura në fshatin Vicidol (Tropojë e Vjetër): Urë beli me konstruksion metalik; ka nevojë për zëvendësim të dërrasave; përdoret nga një pjesë e konsiderueshme e banorëve.
Ura tjetër në Vicidol: Këmbët e urës janë gërryer nga prurjet; përdoret kryesisht për kalimin e bagëtive.
Ura në Klysyre (Margegaj): Urë beli me konstruksion metalik; dëmtime nga reshjet dhe amortizimi; e rëndësishme për lëvizjen e banorëve.
Ura në fshatin Dragobi (Margegaj): Urë teli e vjetër dhe amortizuar; me rëndësi historike; prezencë rreziku për banorët gjatë kalimit.
Situata në Bashkinë Has:
Si rezultat i reshjeve të shiut, janë evidentuar dëmtime në disa segmente rrugore sipas njësive administrative:
Njësia Administrative Gjinaj: Të gjitha rrugët e fshatrave të njësisë janë dëmtuar. Në Fajza, dëmtime në rrugët e fshatrave Vranisht, Trektan, Metaliaj dhe Liqekuq.
Njësia Administrative Golaj: Dëmtime në rrugët e fshatrave Nikoliq, Vlahën, Peraj, Kosturr dhe Qarr.
Njësia Administrative Krumë: Dëmtime në rrugët e fshatrave Gajrep, Rada, Zarishte (lidhje me lagjen Pukaj) dhe Cahan. Bashkia Has po punon për riparimin e tyre.
I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç Njësive Administrative Topojan, Shishtavec dhe Zapod (Bashkia Kukës), fshatit Berishë (Bytyç) dhe Njësisë Administrative Lekbibaj (Tropojë). Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga D.R.U.K. Kukës.
