Egla Ceno, fituesja e “Big Brother VIP Albania 3”, ka reaguar publikisht pas deklaratave të ish-banores Ledjona Xheladinaj, e cila së fundmi tregoi se brenda shtëpisë ka pasur periudha të vështira përsa i përket ushqimit dhe menaxhimit të sponsorëve.
Në një postim të gjatë ironik dhe të drejtpërdrejtë në Instagram, Egla mohoi kategorikisht që banorët të kenë vuajtur për ushqim dhe se janë detyruar të lavdërojnë produkte që nuk u pëlqenin.
“Po lexoj këto ditë për ‘sakrificat’ dhe urinë e madhe që paska ndodhur brenda BBV3. Flas për vete që isha pjesë: nuk na ka lënë njeri pa bukë o njerëz. Kishte aq shumë sa mua mu pre oreksi. Mua më ha syri, jo barku”, shkroi ajo, duke ironizuar hapur pretendimet.
Egla vijoi duke hedhur poshtë edhe idenë se banorët janë ndjerë të detyruar të shpreheshin mirë për sponsorët:
“Ky miti tjetër që paskemi qenë të detyruar të themi ‘o sa e mirë, sa e mirë’? Jo, jo. Sikur të më detyronte dikush të isha e ëmbël, unë do isha përjashtuar që ditën e parë.”
Aktorja theksoi se BBV3 ishte një “skene e madhe” ku secili luante rolin që dëshironte: drama, viktimë apo lojtar strategjik.
“Kush donte të bënte dramë, bënte dramë. Kush donte të bënte viktimën e luante si profesionist. Kush donte të fitonte, fitoi. Vetëm një idiot luan ndershëm në një lojë ku të tjerët mashtrojnë,” shkruan Egla, pa kursyer thumbat.
Reagimi i saj duket se vjen drejtpërdrejt pasi Ledjona Xheladinaj tha se ka pasur një periudhë pothuajse dy javore ku banorët “nuk kishin çfarë të hanin, përveç një lloj ushqimi”, dhe se shpesh janë ndier të detyruar të vlerësonin produkte për hir të sponsorëve.

