Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, është i bindur se ekipi do të tregojë vlerat ndaj Anglisë, ndonëse tashmë rezultati nuk është vendimtar për fatin e kuqezinjve në kualifikimin në play-off të Botërorit.
“Sigurisht që do të jetë një ndeshje si të gjitha në kualifikuese, do hyjmë e japim maksimumin, do japim gjithçka. Janë tre pikë, një ndeshje e rëndësishme, e kemi arritur play-off, por është një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të fortë. Do japim gjithçka që të vendosim në vështirësi atë ekip dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.
Unë nuk di statistikat, mendoj ndeshje për ndeshje, por sigurisht janë gjë e mirë kur i sheh apo dëgjon ato. Por siç e thashë, kemi një kundërshtar përballë që luan për të fituar Botërorin, për të shkuar në fazat finale. Ne kemi vetëbesim në këto moment dhe do japim gjithçka për t’i vënë në vështirësi. Por me armët tona do të bëjmë një ndeshje të mirë nesër.
Vështirësia nuk është vetëm e imja të ndalim Kejn, të gjithë mbrojtësit në botë e kanë të vështirë. Por besoj se do luajmë e mbrojmë si skuadër e sulmojmë si skuadër. Nuk është një kundër një, duhen të gjithë në fushë të japin gjithçka, pse jo nesër të bëjmë një gol, nuk i dihet futbollit. Jemi të përqendruar me gjithë skuadrën, jo vetëm me Herri Kejn.
Sigurisht mendojmë për play-off se është normale, edhe para ndeshjes me Andorrën e ke mendjen aty, kush mund të jetë kundërshtari. Në këtë pikë do të përqendrohemi te Anglia, të shohim pastaj nga shorti. Në këtë ndeshje mund të mësosh nga kombëtaret e forta me kualitet dhe të marrim çdo gjë që kemi bërë në këtë kualifikim deri tani e pastaj të përqendrohemi të play-off.
Mbrojtja më e mirë e historisë së Shqipërisë? Atë duhet ta gjykojnë njerëzit nga jashtë, unë për vete nuk mund ta them. Unë di të them që kemi organizim shumë të mirë në këtë kombëtare, nuk ka rëndësi kush luan, në fushë jemi të organizuar mirë. Taktikisht kemi rritur kualitetin e duket në fushë që nuk është vetëm mbrojtja por është e gjithë skuadra që mbron dhe kjo është më e rëndësishme.
Ndryshimi është se Kejn lëviz shumë, nuk rri kurrë afër mbrojtjes, kthehet e merr topin, është teknikisht i fortë dhe ka kualitet, është e vështirë të luash kundër tij. Nëse luan Foden, cilësia do të jetë e njëjtë, por edhe ai është lojtar që lëviz shumë, duhet të kemi kujdes të flasim në fushë dhe bashkëpunojmë për t’i ndalur”, tha ai sot në konferencën para mediave.


