Aksident tragjik në SHBA, 30-vjeçari shqiptar dhe e fejuara e tij humbin jetën (EMRAT)

Më 11 nëntor 2025, dy të rinj shqiptarë, Samira Xhaferi dhe Albi Çela, kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio,  në SHBA.

Lajmi i rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në SHBA dhe në Shqipëri, ndërsa familjarët kanë hapur një fushatë në GoFundMe për t’i sjellë trupat e tyre në atdhe.

Sipas iniciuesve të fondit, Samira, 27-vjeçe, ishte studente e doktoraturës në Cleveland State University, e njohur për përkushtimin, inteligjencën dhe pasionin e saj për kërkimin shkencor.

Ndërsa Albi, 30-vjeç, ishte në përfundim të studimeve në Cleveland State University Laë dhe po përgatitej për provimin e jurisprudencës.

Të fejuar dhe të pandarë, Samira dhe Albi ndanin dashurinë për librat, për dijen dhe për botën e “Harry Potter”, e cila i lidhte edhe më shumë në jetën e tyre të përditshme.

Miqtë dhe të afërmit i përshkruajnë si dy të rinj të qetë, të mirë dhe të dashur, që sillnin ngrohtësi kudo ku shkonin.

“Humbja e tyre ka lënë një boshllëk të pamatë në familjet tona dhe në komunitetin që ata prekën me dritën dhe dhembshurinë e tyre”, shkruhet në thirrjen e hapur.

Fushata ka për qëllim të mbledhë fondet e nevojshme për transportimin e trupave në Shqipëri, si dhe për shpenzimet e varrimit dhe ceremonive përkujtimore.

Familjarët u bëjnë apel të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, që të kontribuojnë sipas mundësive ose të shpërndajnë nismën për të nderuar kujtimin e tyre.


Shtuar 14.11.2025 11:24