Hygerta Sako, e ftuar në një studio televizive, foli për incidentin ku ajo dhe 3 panelistët, Ardi Behari, Gert Haxhiu dhe Klajdi Kola, qeshën me një lojtar me ngjyrë, me origjinë afrikane, i cili luan në Shqipëri me ekipin e Burrelit.
Sapo u shfaq në ekran, Hygerta dhe panelistët qeshën dhe video e tyre u be virale. Menjëherë, ata u vunë në qendër të kritikave nga komentuesit, të cilët i etiketuan si “racistë”.
Hygerta, në deklaratën e saj në emision, tha se është profesioniste dhe se në fakt, asnjë portal nuk e ka pyetur se ç’ndodhi .
“Unë jam realisht profesioniste, një njeri që dua t’i jap secilit hakun, dua ta respektoj këdo që i sjell diçka të bukur futbollit. Në momentin që unë denigrohem si figurë, profesioniste dhe gazetare për një gjë që nuk më ka rënë një telefon nga të gjitha këto portale kaq të ndjeshme, të më pyesin se çfarë ndodhi në atë studio dhe pse qeshëm. Askush! Thjesht e marrin siç është dhe e keqinterpretojnë siç duan, sepse sot, fatkeqësisht, gara është për klikime dhe nuk ka rëndësi se kë fyen dhe kë denigron, e rëndësishme është që të ndodhin klikimet”.
Arnold Kwaku Siaw, i cili ishte në lidhje direkte në emision, u shpreh se është në rregull me situatën.
