Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton formën, mënyrën dhe procedurën e raportimit të të dhënave nga Autoritetet Licencuese dhe Mbikëqyrëse.
Sipas vendimit të miratuar, autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse do të raportojnë menjëherë, dhe jo më vonë se 72 orë nga çasti i konstatimit, çdo dyshim apo informacion që lidhet me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të shkatërrimit në masë, tek Agjencia e Inteligjencës Financiare.
Me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar edhe listën e autoriteteve mbikëqyrëse për subjektet e ligjit në këtë fushë.
Sipas vendimit, autoritetet mbikëqyrëse që duhet të raportojnë janë:
Banka e Shqipërisë
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Organet e qeverisjes qendrore
Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit apo çdo autoritet tjetër i ngarkuar me ligj për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet
Ministria e Drejtësisë
Dhoma Kombëtare e Avokatisë, për avokatët
Ministria përgjegjëse për infrastrukturën, për subjektet që merren me tregtimin e mjeteve motorike, lundruese, ajrore, si dhe për veprimtaritë e transportit e spedicionit
Agjencia e Inteligjencës Financiare, për:
a) agjencitë e udhëtimit
b) shoqëritë e ndërtimit
c) bizneset e metaleve dhe gurëve të çmuar
ç) çdo person fizik ose juridik që ofron shërbime të caktuara për klientët
Bordi i Mbikëqyrjes Publike, për audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar
