Ilir Alimehmeti: Kemi dy standarde, Veliaj me masë sigurie, Balluku e lirë! Zv/kryeministrja mund të prishë provat dhe të shkaktojë dëme të tjera

Zv/kryeministrja Belinda Balluku, duhet të ishte në masë sigurie, pasi dëmi i shkaktuar me tenderin e tunelit të Llogarasë, pa llogaritur edhe çështjet e tjera si ato të energjisë dhe infrastrukturës, është 50 milionë euro dhe për më tepër mund të vijojë të prishë provat e të shkaktojë dëme të reja.

Kështu u shpreh ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e 11 majit dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, sot në një analizë të situatës politike dhe drejtësisë në vend, në “News 24”.

I pyetur për çështjen Balluku, nëse ajo do ndikonte si në zgjedhjet e pjesshme të Tiranës ashtu edhe në dosje duke qenë e lirë, ai tha:

“Patjetër. Akoma më shumë do e rëndonte situatën atje. Nuk është vetëm fjalim, është edhe veprim, nuk mjafton vetëm kaq. Kemi një situatë ku nuk është vetëm zv/kryeministrja, por edhe kryeministri, janë 50 mln euro, kushedi se sa çështje të tjera ka në këtë mes. Kemi rastin Veliaj, që merret në masë sigurie, ta themi siç është. Nga ana tjetër kemi ballukun, 50 mln euro, ajo mund të prishë provat, mund të ndikojë, të arratiset, s’e di tjetër”, tha Alimehmeti.

Ai vuri në dukje se drejtësia ka vepruar me dy standarde, ndërkohë që për një skandal të tillë zv/kryeministrja vijon të jetë në detyrë dhe as të dorëhiqet.

Ish-kandidati kërkoi më shumë reagim nga PD në këtë situatë, me lëvizje politike edhe më të fortë të opozitës.

“Balluku është nën akuzë, janë 50 mln euro dhe vazhdon të jetë në detyrë. A mund të prishen provat dhe të vazhdohet dëmi, a kemi dy standarde? E qartë që po. Tjetër gjë se PD duhet të reagojë ndaj kësja situate. Ky është vendim i strukturave, vendosin ato”, tha Alimehmeti.

 

 

Gjithashtu, kërkoi këmbëngulje nga ana e opozitës për çështjen Balluku, pasi është dëm i madh financiar në buxhetin e shtetit.

“Opozita duhet të flasë më shumë për çështjen Balluku dhe të ndërmarrë veprime konkrete. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët. Po flasim për një situatë të qartë, me një fond prej 50 milionë eurosh, dhe kush e di sa elementë të tjerë të dyshimtë ka pasur pas kësaj. Veliaj është arrestuar më 10 shkurt, për një akuzë të ngritur në 23 korrik, pra më shumë se gjashtë muaj më vonë, dhe u vendos në arrest me burg. Nga ana tjetër, Balluku ka një akuzë për 50 milionë euro, por ndaj saj nuk është marrë asnjë masë sigurie. Ajo mund të prishë prova, të ndikojë në hetime, apo edhe të arratiset. Këtu kemi një trajtim krejt të ndryshëm”, komentoi ai.

Alimehmeti: Mbështetje Binajt, Tirana është zaptuar nga lojërat e eksponentëve të PS

Ai u pyet edhe për çështjen e Bashkisë së Tiranës dhe zgjedhjeve të parakohshme që për momentin janë shtyrë, sepse Kushtetuesja rrëzoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj dhe riktheu në detyrë Erion Veliajn pas shkarkimit nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave.

“Tirana është e zaptuar për lojërat abuzuese të eksponentëve të PS. Këta, me problematikat që kanë krijuar vetë, kanë sjellë këtë situatë. Sot për sot, sa kohë palët mbajnë qëndrimet e tyre, qytetarët mbeten peng. Zgjidhja është politike, nuk ka tjetër rrugë. Kryeministri e ka shkarkuar Veliajn edhe nga posti i kreut të Shoqatës së Bashkive, duke treguar se e ka larguar politikisht. Ata u frikësuan nga rezultati i Tiranës dhe bënë gjithçka për ta shtyrë. Tirana është udhëheqëse për gjithë bashkitë,” tha ai.

Alimehmeti shprehu mbështetjen për kandidatin e pavarur, aktorin Florian Binaj, por tha se nëse zgjedhjet do mbahen më vonë, nuk e dinte se si do të shkonte situata politike dhe ai nuk mund të japë përgjigje për një situatë të ardhshme, por për atë aktuale.

“Unë e kam shprehur edhe mbështetjen time publike, por edhe mendimin tim. Nuk mund të flas se si mund të jetë situata më vonë. E kemi mbështetur Florjan Binajn si kandidat të pavarur për drejtimin e Bashkisë Tiranë, duke e konsideruar këtë si një alternativë reale për ndryshim”, tha ai.


Shtuar 12.11.2025 15:53