Osmani mandaton Konjufcën për formimin e qeverisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dhënë mandatarin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.

“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.
Ajo shtoi se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe neni 95.4 të Kushtetutës.

“Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetua nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.

Osmani theksoi se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkaq tha se garanci nuk i ka dhënë sepse nuk kërkohet me Kushtetutë.

Nëse do të kishte dy kandidatë, Osmani tha se asaj do t’i duhej të bindej se kush nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit.

“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, disponon të gjitha votat që Kurti i kishte marrë vetë më 26 tetor në Kuvend, pra 56 vota.

“Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më 26 tetor në Kuvend unë mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht,” tha Kurti.

Ai shtoi se nuk sheh mundësi për koalicion me partitë tjera për formimin e Qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në./Telegrafi/


Shtuar 4.11.2025 19:52