Në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë ceremonisë në Pallatin e Kongreseve pritet të mbajë një fjalë në emër të familjes bashkëshortja e tij, Xhoana Nano.
Pas homazheve, arkëmorti i Fatos Nanos do të kalojë përpara godinës së Kryeministrisë për t’u përcjellë më pas drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.
Sipas informacioneve në homazhe pritet të marrin pjesë personalitete të shumta nga rajoni dhe politika shqiptare. Nga Maqedonia e Veriut do të jetë i pranishëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Kosova, kryeministri Albin Kurti, disa ministra dhe deputetë, ndërsa Malin e Zi do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri i vendit.
Nga opozita shqiptare, Partia Demokratike pritet të përfaqësohet nga Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj.
Figura të njohura të politikës shqiptare, si kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ish-deputeti i PS Petro Koçi morën pjesë në homazhet në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, duke i dhënë lamtumirën e fundit një prej liderëve më të shquar të Shqipërisë.


Pasi u përulën para trupit të pajetë të ish kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, figurat politike shkruajtën edhe përshtypjet në librin e shënimeve.

