Ambasada e Shqipërisë në Kosovë do të ulë ditën e nesërme flamurin në gjysmë shtizë në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 73-vjeçare.
Lajmin e dha Amasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, pas vendimit të marrë nga qeveria për shpalljen e datës 2 nëntor ditë zie, ditë kur do të mbahet dhe ceremonia mortore për të ndjerin Fatos Nano.
Ish-lideri historik i të majtës në vend, ndërroi jetë ditën e djeshme pas 24 ditësh qëndrimi në një prej spitaleve private në Tiranë.
Gjendja shëndetësore e Nanos, i cili prej kohësh vuante nga probleme kronike respiratore, ishte përkeqësuar ndjeshëm. Së fundmi ai pësoi arrest kardiak e më pas dhe vdekje klinike.
Fatos Nano do të kujtohet gjithmonë për kontrobutin e tij të madh në politikë, sidomos në sferën e majtë. Tri herë kryeministër i Shqipërisë, Nano shquhet si një ndër figurat më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës njofton se, me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 628, datë 31.10.2025, në Shqipëri është shpallur dita e zisë kombëtare data 2 nëntor 2025, në nderim të të ndjerit Fatos Nano, ish-Kryeministër, udhëheqës dhe politikan i shquar.
Në zbatim të këtij vendimi: Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës do të ulë flamurin kombëtar në gjysmë shtize më 2 nëntor 2025.
Libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur më 3 dhe 4 nëntor 2025, në oraret 10:00–12:00 dhe 14:00–16:00.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe solidaritetin në këtë moment zie kombëtare.”-shkruan Malaj.
