“Më ofendoi, më shau nga familja”, kështu ka deklaruar në gjykatë 63-vjeçari Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj), i cili akuzohet se vrau me thikë për kalin turistin, Keli Hoxha, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 28 tetorit në Kalanë e qytetit të Beratit.
Autori i dyshuar i krimit ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër.
Sipas tij, 42-vjeçari Keli Hoxha, banues në Tiranë, por me origjinë nga Tropoja, e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. Në sallën e gjyqit, ai u ka kërkuar falje edhe familjarëve të viktimës.
Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj) mbërriti mesditën e sotme (30 Tetor) në ambientet e Gjykatës së Beratit, për t’u njohur me masës e sigurisë.
Ai u fut brenda gjykatës nën masa të rrepta sigurie, rreth një orë para orarit të parashikuar të fillimit të seancës.
Prokurori i çështjes, Renato Tosku, pasi parashtroi rrethanat e ngjarjes kërkoi për Kristo Memën masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje”.
Pasi dëgjoi edhe avokatin mbrojtës të autorit të dyshuar të vrasjes, gjyqtari Renis Bega, e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e 63-vjeçarit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
