Eduard Kuqi, i njohur për daljet e tij të shpeshta dhe shpeshherë provokuese në rrjete sociale, është bërë sërish në qendër të vëmendjes pas një transmetimi “live” që ndezi reagime të shumta në publik.
Gjatë transmetimit me ndjekësit, një komentues e pyeti atë për ish-banoren e “Big Brother VIP Kosova”, Xheneta Fetahun, duke i shkruar që “ta prekë veshin nëse ka pasur diçka me të”. Pak sekonda më pas, Kuqi u pa duke bërë pikërisht atë gjest – veprim që u interpretua si një lloj konfirmimi për një raport mes tyre.
Pas shpërthimit të reagimeve në rrjete sociale, Edi vendosi të sqarojë situatën. Në një postim në Instagram, ai kërkoi falje publike për keqkuptimin e krijuar, duke theksuar se veprimi nuk kishte qenë i qëllimshëm.
“Kam reaguar pa vetëdije, nuk e kam parë fare komentin. Me atë gjest kam shprehur informata të gabuara, ndaj kërkoj falje publikisht, posaçërisht personit në fjalë, Xheneta Fetahut”, shkroi ai.
Reagimi i tij u prit me komente të ndryshme nga ndjekësit – disa e vlerësuan ndjesën e tij si të sinqertë, ndërsa të tjerë e quajtën një përpjekje për të zbutur situatën pas bujës që shkaktoi në rrjet.