Fiorentina shpërthen pas humbjes në “San Siro”: Vendime skandaloze, VAR-i gaboi rëndë

Humbja me përmbysje ndaj Milanit në “San Siro”, ka shkaktuar zemërim të madh te Fiorentina, që përveç rezultatit, akuzon gjyqtarin dhe sistemin VAR për disa vendime që, sipas tyre, ndikuan drejtpërdrejt në rezultat.

Në qendër të polemikave është penalltia e dhënë për Milanin në minutat e fundit, e cila vendosi fatin e ndeshjes.

Drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Prade, shpërtheu pas ndeshjes:

“Nëse VAR duhet të ndërhyjë vetëm në raste të një gabimi të rëndë, atëherë ky është një gabim i madh i VAR-it. Marineli nuk pati guxim të qëndronte në vendimin e tij. Ne po luftojmë për mbijetesë dhe nuk mund të pranojmë diçka të tillë. Është skandaloze”.

Ai shtoi më tej:

“Himenez qëndroi në tokë për 20 minuta dhe as që u prek. Ishte një skenë gati groteske, aspak pamje e mirë për futbollin. Fiorentina luajti një ndeshje të madhe, me zemër, dhe nuk e meritonte të humbiste në këtë mënyrë. Pak më parë kishte një faull të qartë ndaj Ranierit që mund të ishte edhe karton i kuq, por u dha vetëm i verdhë. Ai doli nga loja dhe ne morëm golin me dhjetë lojtarë. Na vjen keq sepse renditja jonë është e vështirë, dhe kjo nuk është fytyra jonë e vërtetë”.

Edhe Stefano Pioli, trajneri i Fiorentinës, shprehu dyshime mbi mënyrën si u përdor VAR-i:

“Duke vepruar kështu, po i nxisim lojtarët të simulojnë, të vënë duart në fytyrë edhe kur nuk ka kontakt. VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm në rast të një gabimi të qartë dhe të dukshëm — më thoni ju nëse ky ishte i tillë… Më vjen keq”.

Këto deklarata pasqyrojnë tensionin e madh në kampin vjollcë, me Fiorentinën që mbetet në zonën e poshtme të tabelës dhe përballet me një krizë rezultatesh që, sipas drejtuesve dhe lojtarëve, nuk reflekton vlerat reale të skuadrës.


Shtuar 20.10.2025 08:19