Albano Muco, 49-vjec për disa javë provoi t`i dukej vetja person i rëndësishëm, arriti të mashtrojë disa qytetarë duke u hequr si prokurori i SPAK.
Sipas dosjes hetimore, ai kishte krijuar një grup për të hetuar persona të ndryshme, madje mbante dhe një shofer për të lëvizur dhe hante dreka dhe darka cilësore dhe dhoma hoteli, por pa paguar asnjëherë.
Një skemë e mirëfilltë mashtrimi u zbardh, ku 49-vjeçari Albano Muco përdorte titullin e prokurorit të SPAK-ut për përfitime personale.
Ai shfrytëzonte njerëz si shoferë, por edhe lokale dhe restorante për gatime të shtrenjta.
Sipas dosjes hetimore, Muco kishte mashtruar të paktën tre persona, të cilët, sipas tij, ishin pjesë e një “minisoni” të Ministrisë së Drejtësisë. Nëse kushërinjtë e tyre flisnin me persona të tjerë, urdhri i supozuar i prokurorit ishte i prerë, duke parashikuar denimin me 10 vjet burg për nxjerrje të sekreteve.
Pasi krijoi rrjetin, mashtruesi, i prezantuar si prokuror me emrin Luan Muco, hapi një grup në WhatsApp të titulluar “Gjuetia”. Në grup ruheshin procesverbale me shkrim dore për vëzhgimet në terren dhe për personat që do të arrestoheshin. Madje, ata kishin një kontratë pune me të ashtuquajturin prokuror, ku për çdo mision të kryer parashikoheshin përfitime financiare deri në 600,000 lekë.
Përveç lëvizjeve të kryera me shofer personal, 49-vjeçari kujdesej edhe për ushqimin e shtrenjtë. Sipas dëshmisë së një gruaje, qiradhënëse e tij, Albano Muco i ishte prezantuar si prokuror në Tiranë. Pagesa e qirasë ishte 60,000 lekë në muaj, dhe për ushqimin 50,000 lekë, në total 110,000 lekë në muaj. Më datë 2, kur duhej të bëhej pagesa e qirasë, ai nuk i dha lekët, pasi kishte frikë mos personi ishte vërtet prokuror dhe të mund të bënte ndonjë gjë të keqe.
Ai i kërkoi gruas të gatuante gjëra të shtrenjta, si mish dhe peshk, dhe vetëm për ushqimin shpenzoi rreth 200,000 lekë. Për ta bërë rolin e tij më të besueshëm, prokurori i supozuar, i prezantuar si Hermes Muco, lëvizte me shofer personal në vende të ndryshme në Tiranë dhe rrethina.
Sipas dëshmisë së shoferit, ai vizitonte institucione si Gjykata e Apelit, SPAK, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në të gjitha këto institucione qëndronte afërsisht 5 deri në 10 minuta dhe dilte gjithmonë me fletë formati në duar, të cilat dukeshin si dokumente zyrtare.
Përveç këtyre vizitave, prokurori i supozuar lëvizte edhe në qytete të tjera dhe kryente shëtitje me Jet-Ski. Kjo skemë u zbulua pas disa kallëzimeve, dhe më pas ndodhi arrestimi i tij në flagrancë.