Jasir Asani, do të përpiqet ta rifitojë vendin në kombëtare, e ndoshta do t’ia dalë. Të paktën e ka treguar veten se cili është në Ligën Profesioniste të Iranit, duke u cilësuar si më i miri i skuadrës, dhe njëri nga më të mirët e kampionatit.
Ylli kuqezi ishte më i rëndësishmi, dhe vendimtar, në fitoren që Esteglal arriti në kampionat ndaj rivalit Mes Rafsanxhan në javën e shtatë.
Asani e vendosi shpejt fatin e ndeshjes, duke shënuar një gol të shkëlqyer personal që në 12’. Ishte stili i tij të zakonshëm, veçse zgjodhi shtyllën e parë, jo të dytë, besohet për të gabuar portierin.
Mediat iraniane patën lavdërime të mëdha për shqiptarin. Njëra prej tyre shkruante se Esteglal u duk sikur kishte dy Jasir Asanë kundër Mes Rafsanxhanit.
Sepse 30-vjeçari, sipas mediave në Teheran, ishte i shkëlqyer në sulm dhe në mbrojtje. Asani për gazetat e kryeqytetit kreu shumë mirë detyrat mbropjtëse në mesfushë, madje u tërhoq edhe më prapa në prapavijë.
Futbollisti I Shqipërisë ka 3 gola e një asist në 6 ndeshje në Ligën Profesioniste të Iranit, ku nuk është gjithmonë titullar, veçse ka luajtur 82 për qind të minutave.