Shqipëria, me nivelin më të lartë të varfërisë e përjashtimit social në Europë. Veriu mban rekord

Në Shqipëri, 40.5% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, për vitin 2024, sipas të dhënave që u publikuan së fundmi nga INSTAT.

Kjo do të thotë se 40.5% e popullsisë plotësojnë të paktën një nga këto tre kritere:

-Janë në rrezit të varfërisë monetare – të ardhurat e një personi janë më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare.

-Kanë mungesa materiale ose sociale të rënda – personi nuk ka mundësi të përballojë shpenzime bazë si ngrohja, pagesa e faturave, blerja e ushqimit, rrobave, pushimeve etj.

-Jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune – kur të rriturit në një familje punojnë shumë pak ose aspak gjatë vitit.

Ndonëse në krahasim me vitet e mëparshme rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social është ulur (nga 44.5%), që ishte në 2022, të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të lartë në Europë dhe sa dyfishi i mesatares së BE-së prej 21%.

Në rajon, varfërinë dhe përjashtimin social më të ulët e ka Serbia, me 24.3%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (30%, me të dhënat e vitit 2023) dhe Mali i Zi me 34.1% (të dhënat e vitit 2022). Mungon informacioni për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën.

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, në vitin 2024 rreth 21% e popullsisë së Bashkimit Europian ishte në rrezik për varfëri ose përjashtim social – që do të thotë se më shumë se 95 milionë qytetarë të BE-së përfshiheshin në të paktën një nga tre kategoritë e treguesit: varfëri monetare, mungesë materiale/sociale, ose intensitet i ulët pune në familje.

Normat ndryshojnë ndjeshëm midis vendeve. Normat më të larta janë regjistruar në Bullgari, Rumani, Greqi dhe Spanjë, ku mbi 26–30 % e popullsisë rrezikon përjashtim social.

Vendet me rezultatet më të mira janë Sllovenia, Çekia, Finlanda dhe Holanda, ku përqindja zbret nën 13 %.

Mesatarja e BE-së qëndron në 21 %, një nivel pothuajse i pandryshuar krahasuar me një vit më parë, por më i ulët se dekadën e kaluar.

Këto të dhëna tregojnë se, megjithëse standardi i jetesës është përmirësuar në disa ekonomi të Europës Veriore dhe Qendrore, pabarazitë rajonale mbeten të forta, veçanërisht në vendet e Europës Jugore dhe Lindore, ku kombinimi i të ardhurave të ulëta dhe punësimit të pasigurt vazhdon të mbajë një pjesë të madhe të popullsisë në rrezik social.

Në vitin 2024, në 93 prej 243 rajoneve NUTS 2 në Bashkimin Europian, norma e rrezikut për varfëri ose përjashtim social ishte më e lartë se mesatarja e BE-së prej 21 %. Vetëm katër rajone kishin të njëjtën normë, ndërsa 146 ishin nën mesatare.

Nga ana tjetër, 26 rajone regjistruan norma mjaft të ulëta, më pak se 12,5 %. Mes tyre përfshiheshin rajone të Italisë veriore (p.sh. Provincia Autonome e Bolzano — 6,6 %) dhe rajone në Çeki,
Austri dhe vende të tjera të BE-së.

Rajone me nivele të larta rreziku përfshin disa nga ato në Greqi, Bullgari, Spanjë, Itali dhe Rumani. Në rastin e Greqisë për shembull, 5 rajone e kaluan pragun 33 %.

Veriu, i dyti më i varfri në Europë

Në renditjen sipas rajoneve, të dhënat e Shqipërisë janë për vitin 2022 (kur treguesi total ishte 44.5%).

Veriu i Shqipërisë është i dyti me nivelin më të lartë të varfërisë dhe përjashtimit social, me 47.1%, duke lënë pas vetëm zonën e Guyane (që i referohet Guajanës Franceze (French Guiana), një rajon i jashtëm (overseas region) i Francës, që ndodhet në Amerikën e Jugut, në kufi me
Brazilin dhe Surinamin), praktikisht duke e bërë veriun e Shqipërisë më të varfrin në territorin e Europës. Qendra kishte një nivel prej 44.1% dhe Jugu prej 42.6%.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Varfërisë

Sot është Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Varfërisë. Për këtë arsye Eurostat ka publikuar të dhënat dhe fton institucionet dhe qytetarët të përqafojnë veprime që reduktojnë varfërinë dhe përjashtimin social në të gjitha rajonet e BE-së.

Ky tregues është një masë e kombinuar e standardit të jetesës dhe përfshirjes sociale, që ndihmon BE-në të krahasojë pabarazitë dhe të vlerësojë ndikimin e politikave sociale midis rajoneve dhe vendeve anëtare.

Në Shqipëri, ndër më të varfrit e Europës, këto ftesa çuditërisht mungojnë!/MONITOR


Shtuar 17.10.2025 14:37