Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është nderuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ai nderon lidershipin, kontributin dhe angazhimin e grave që kanë avancuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në vendet e tyre dhe në mbarë botën.
Duke e pranuar këtë çmim, Presidentja Osmani u shpreh se ky është “një nder i veçantë dhe një çmim që i dedikohet popullit të Kosovës, e në veçanti të gjitha grave të Kosovës, atyre që me guxim, dinjitet e dashuri ndihmuan ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë sonë”.
“Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia jonë është forcuar falë përkushtimit të grave që qëndruan të palëkundura në çdo hap të rrugëtimit tonë drejt lirisë e barazisë”, theksoi Presidentja Osmani.
Sipas saj, se vlerësimi është edhe njohje për përpjekjet e Kosovës në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Qendrës Rajonale të Ekselencës, që tashmë Presidenca i ka shndërruar në platforma të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar.
Ky çmim i lartë ndërkombëtar, përveç që vlerëson lidershipin e Presidentes Osmani, e vendos Kosovën ndër vendet model në botë për përfshirjen e grave në ndërtimin e paqes, forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Presidentja Osmani është liderja e parë nga Evropa Juglindore që nderohet me këtë çmim.