Kosova zgjedh krerët e komunave, qytetarët së bashku me zyrtarë të Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut votojnë në grup

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale, ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë në disa vendvotime të caktuara.

“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit”, deklaroi ai, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë nga qendra e Mitrovicës së Veriut, qytetarët – së bashku me zyrtarë të Listës Serbe – kanë shkuar kolektivisht për të votuar, informon REL.

Edhe më herët ka qenë praktikë që punonjësit në institucionet e Serbisë në Kosovë, të votojnë në mënyrë kolektive.

Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka udhëhequr Mitrovicën e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – deri në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit e saj janë larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas këtij vendimi, komuniteti serb ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2023 dhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në vitin 2024, në përputhje me thirrjet e Listës Serbe.

Largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet ka ndodhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.

Tubim masiv në Tel Aviv, falënderime për Trump dhe fërshëllima për Netanyahun
Sot të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit. Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.

Pak ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.


Shtuar 12.10.2025 10:51

Tags: ,