Përballja e Shqipërisë me Serbinë, masa të forta sigurie në stadiumin me 8 mijë vende

Serbia dhe Shqipëria, do të përballen sonte Leskovac në një ndeshje të zjarrtë të kualifikueseve të Botërorit 2026.

Kombëtarja shqiptare, ka zhvilluar stërvitjen e fundit nën urdhrat e trajnerit Sylvinho, i cili pritet të zbresë në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm.

Nga ajo që raportohet, kuqezinjtë pritet të nisin me Strakoshën në portë, mbrojtjen me Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj, në mesfushë Laçi, Asllani dhe Shehu, ndërsa në sulm Broja, Bajrami dhe Manaj.

Ndeshja nuk do të luhet në stadiumin e Beogradit, por në Leskovac, aty ku mund ta shohin direkt vetëm 8000 tifozë.

Të dy skuadrat do të përballen me njera-tjetrën, teksa ndodhen në grup në vendin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 8 dhe 7 pikë të grumbulluara.

Kujtojmë se masat kanë qenë të rrepta pasi futbollistët shqiptarë shkelën në tokën serbe. Hoteli ku qëndron kombëtarja shqiptare në Nish është rrethuar dhe blinduar nga forca të shumta policore, për të garantuar sigurinë maksimale të skuadrës kuqezi në prag të sfidës.


Shtuar 11.10.2025 15:28