Erisa Xhixho: Qeveria po i mban pensionistët në mjerim, rritja 2.5% është qesharake dhe propagandë

Në një deklaratë për mediat, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, është shprehur ashpër kundër qeverisë, duke e akuzuar se po tallet me 721 mijë pensionistë shqiptarë përmes një rritjeje qesharake të pensioneve.

Sipas Xhixhos, rritja prej vetëm 2.5% që hyri në fuqi nga 1 tetori, përkthehet në 490 lekë për pensionet urbane dhe vetëm 290 lekë për ato rurale shifër që, siç tha ajo, “nuk mbulon as një bukë e një domate në muaj”.

Deputetja e opozitës theksoi se Shqipëria ka pensionet më të ulëta në rajon dhe një nivel varfërie alarmant për moshën e tretë, ndërsa qeveria sipas saj ka zgjedhur t’i neglizhojë pensionistët, duke u kujtuar për ta vetëm në kohë fushatash.

DEKLARATA:

Qeveria u tall edhe njëherë me 721 mijë pensionistë, me indeksimin e radhës. Nga 1 tetori 2025, pensionet janë rritur 2.5%, praktikisht 490 lekë për pensionet urbane dhe 290 lekë për pensionet rurale.

Çfarë mund të shtohet në tryezat e pensionistëve me kaq para? Në një muaj jo më shumë se një bukë, 100 gramë djathë dhe një domate! Asnjë zgjidhje reale, thjesht propagandë!

Pensionistët shqiptarë mbeten më të varfrit në rajon, me një pension mesatar 170 euro, ndërkohë që në vendet fqinje janë sa dy dhe trefishi i tyre.

Sipas Eurostat, për një person të rritur mbi 65 vjeç ose në pension, niveli i varfërisë për Shqipërinë vlerësohet në 69%, për Serbinë në 48.9% dhe Malin e Zi 27.6%.

Në Kosovë, pensioni mesatar është 340 euro, në Malin e Zi – 450 euro, në Maqedoninë e Veriut – 325 euro dhe në Serbi – 390 euro.

Qeveria është tallur rregullisht me pensionistët me indeksime qesharake dhe bonuse elektorale. Në fund të vitit të kaluar, një indeksim prej 4.1% nuk pati asnjë ndikim në ekonominë familjare të këtyre njerëzve, që i kanë shërbyer vendit një jetë të tërë.

E vërteta e hidhur është se sot pensionistët jetojnë më keq se para 12 vitesh. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2013, ata marrin sot 30% më pak pasi çmimet dhe kostoja e jetesës janë dyfishuar, ndërsa rritja ka qenë e papërfillshme. Pensionistëve sot nuk u del të blejnë ilaçet apo të paguajnë energjinë. Pjesa dërrmuese e tyre janë të varur financiarisht nga dërgesat e fëmijëve emigrantë, sepse qeveria i ka shpërfillur dhe kujtohet për ta vetëm kur i duhet vota e tyre.

A i ka qeveria paratë për një rritje reale pensionesh? Sigurisht që po! A është mundësia për një rritje 20% sa ajo e Kosovës një vit më parë? Mundësia është, por qeverisë Rama i mungon vullneti.

Shqipëria është vendi me normën më të lartë të TVSH-së për ushqimet me 20%. Kosova e ka 8%, Mali i Zi 7% e Serbia 10%. Fare mirë, një pjesë e parave që mblidhen në arkën e shtetit përmes TVSH-së mund të shkojnë për rritjen e pensioneve. Sot, një e treta e popullsisë shqiptare është në moshë pensioni, numri më i lartë në gjithë historinë e tranzicionit. Mungesa e sigurisë ekonomike për moshën e tretë është tregues i një qeverie që nuk do t’ia dijë për qytetarët e vet.

Paratë kësaj qeverie nuk i kanë munguar asnjëherë, por janë zhdukur gjithmonë në gropat e korrupsionit dhe projektet që çojnë para në xhepat e klientëve të saj! Ajo që i ka munguar gjithmonë qeverisë Rama është vullneti për politika sociale që mbështesin realisht pensionistët, ndaj sot nuk mund t’u hedhë hi syve me një rritje qesharake!


Shtuar 10.10.2025 14:54