Këtë të premte, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Gjovalin Shkambin, pas deklaratave të rënda të bëra prej tij lidhur me hetimin e nipit të tij, Elvis Shkambi, autor i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Gjovalin Shkambi, ka deklaruar se do të vriten edhe gjyqtarë të tjerë, në rast se nipi i tij do të dënohet për ngjarjen e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë.
Kërcënimet janë bërë gjatë një komunikimi të dokumentuar, ç`ka ka çuar në arrestimin e tij dhe përballjen me drejtësinë.
Në këtë ngjarje janë të përfshirë gjithashtu edhe Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin ndaj gjyqtarit Kalaja.
DEKLARATA E GJOVALIN SHKAMBIT:
Në një komunikim për mediat, Gjovalin Shkambi, ka deklaruar se ai gjyqtar që do të dënojë nipin e tij, Elvis Shkambi do të ketë fatin e Astrit Kalasë.
“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.
I pyetur nëse janë të penduar për krimin, ai tha: “Familjes së të ndjerit gjyqtar i kërkoj hallallin me kishë e xhami”.
Ai u shpreh se nuk i druhet hakmarrjes, duke kërcënuar sërish se; “do t`i hanë plumbat sic i hëngri Astrit Kalaja”.
“Në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftën. Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja!”.