Në Delvinë ka përfunduar procesi i vlerësimit paraprak të dëmeve të shkaktuara nga zjarret e fuqishme që përfshinë zonën gjatë kësaj vere.
Sipas autoriteteve vendore, dëmet më të mëdha janë regjistruar në bujqësi, por janë prekur edhe banesa e objekte të tjera. Katër grupe konstatimi kanë punuar për javë të tëra në terren, duke përllogaritur dëme që kapin vlerën e rreth 9.5 miliardë lekëve.
“16 banesa te dëmtuara, 622 koshere bletësh të djegura, 66 mijë e 965 ullishte, 18 mijë e 252 pemë frutorë, janë 30 krerë dhe dy kisha të dëmtuara në zjarret e ndodhura në fund të korrikut në njësinë e Vergoit dhe në Bashkinë e Delvinës”, tha Anefi Braho-përgjegjës i emergjencave në Delvinë.
Menjëherë pas përfundimit të vlerësimit, qeveria pritet të ndërmarrë masa për kompensimin e banorëve të prekur.
“Me anë të një VKM të veçantë, qeveria do dëmshpërblejë të gjithë banorët e prekur”, u shpreh Besmir Veliu-kryetari i Bashkisë Delvinë.
Përveç dëmeve të shkaktuara nga zjarret, njësia administrative e Vergoit mbetet në rrezik nga përmbytjet, pasi prurjet e lumit të Klasës mund të shkaktojnë dalje nga shtrati.