DETAJE për atentatin ndaj zyrtarit të BDI-së, persona të maskuar i zënë pritë kandidatit shqiptar të Ali Ahmetit dhe e qëllojnë me 3 plumba

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Kumanovë, Maqedoninë e Veriut, ku është qëlluar me armë zjarri një kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Sipas njoftimit zyrtar të partisë, persona të maskuar kanë organizuar një pritë ndaj kandidatit dhe njëherësh bartësit të listës së këshilltarëve të BDI-së në komunën e Likovës.

I plagosuri është identifikuar si Zekirja Shahini, 43 vjeç, banor i fshatit Sllupçan. Ai është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në spitalin e Kumanovës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas raportimeve të mediave vendase, Shahini ka marrë tre plumba në këmbë.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar për grupin hetimor se agresori mbante maskë dhe u largua me shpejtësi pas atentatit Forcat policore dhe grupi hetimor ndodhen në terren dhe po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të identifikuar autorët e kësaj sulmi të rëndë.

Në reagimin e saj, BDI ka njoftuar pezullimin e të gjitha aktiviteteve për ditën e sotme, duke i bërë thirrje institucioneve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin masa konkrete për rikthimin e sigurisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve te ligji dhe drejtësia.

REAGIMI I PLOTË:

“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati.

U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë.

Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren,” thuhet në reagim.


Shtuar 7.10.2025 17:55