Studioi për histori, por nuk u diplomua/ Kush është Elvis Shkambi, ekzekutoi gjyqtarin në mes të Gjykatës së Apelit

Një ngjarje e rëndë terrorizoi pasditen e djeshme Gjykatën e Apelit në Tiranë, pasi Elvis Shkambi ekzekutoi me tre plumba gjyqtarin Astrit Kalaja dhe plagosi dy persona të tjerë Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir. Pas tragjedisë autori u vu menjëherë në pranga nga policia.

30 vjeç, hyri i armatosur në sallën e gjyqit dhe zbrazi armën ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dy persova të tjerë, pasi Kalaja dha vendimin. Shkambi, pasi ekzekutoi gjyqtarin u shfaq sypatrembur, duke thënë para autoriteteve se është vetë ai vrasësi. 30-vjeçari ka theksuar gjithashtu se e ka qëlluar gjyqtarin pasi po humbiste një çështje për pronat.

“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, ka dëshmuar autori Elvis Shkambi në Komisariatin Numër 1.

Gjithashtu pamjet nga kamerat e sigurisë treguan 30-vjeçarin teksa rrinte me duar në xhepa para gjykatës, dhe teksa policët po e kërkonin, ai ngriti duart duke iu thënë “jam unë”. Ndër të tjera Shkambi ka thënë se nuk ishte ai vrasësi, por shteti, se ‘ai ishte djalë i shkolluar me 16 vite’.

30-vjeçari rezulton i regjistruar në programin “Histori” në vitet 2013-2014, por nuk është diplomuar. Një ditë pas arrestimit, xhaxhai i tij, në një deklaratë që do t’i kushtonte lirinë, tha se kush do e dënonte nipin, do të kishte të njëjtin fat si Astrit Kalaja.

Sherri për pronën, motiv i vrasjes

Objekt i vrasjes dhe konfliktit është godina e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”. Në këtë ndërtesë janë strehuar 31 familje që në vitin 1992. Por në vitin 2012, Gjon Shkambi shfaqi pretendime për pronën me argumentin se është pasuri e trashëguar brezë pas brezi. Siç rezulton, 31 familjet u strehuan në këtë godinë 33 vite më parë nga Bashkia e Shkodrës. Por banorët thonë se Gjon Shkambi që pretendon pronësinë mbi ndërtesën, ka dokumente false.

Çështja u komplikua në vitin 2012, kur Bashkia e Shkodrës firmosi shitjen e godinës te Gjon Shkami. Sipas banorëve, kryebashkiaku i Shkodrës në atë kohë, Lorenc Luka, i dha Gjon Shkambit dokument privatizimi pa vendim të këshillit bashkiak. Në vitin 2020, 31 familjet u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit. Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.


Shtuar 7.10.2025 16:43