Hyjnë në fuqi rregullat e reja për ndërtimet pa leje

Konfiskim objekti, përjashtim nga lejet për 5 vite e deri gjobë 35 mijë lekë m² për ndërtimet pa leje, këto janë disa nga rregullat e reja, më të ashpra, që kanë hyrë në fuqi, për të gjithë ata që bëjnë ndërtime pa leje, ose shtesa pa leje nëpër ndërtesa, shkruan A2 CNN.

Në fletoren zyrtare, është publikuar akti normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, që parashikon konfiskim të objekteve që anë tejkalim të lejes mbi masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore.

Disa nga rregullat e reja:

Gjobat

1. Kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera, por jo më pak se 35 000 lekë për metër katror.

2. Ndryshimi i destinacionit apo aktivitetit pa leje dënohet me 5 000 000 lekë.

3. Mosveprimi i autoriteteve për miratimin në heshtje të lejeve dënohet me 2 000 000 lekë.

4. Punime të padeklaruara dënohen me 50 000 – 150 000 lekë, si dhe me vendim prishjeje.

5. Për punime pa leje në brezin bregdetar gjoba është jo më pak se 35 000 lekë/m², plus 10% e vlerës së preventivit ose e shitjes.

Konfiskimi dhe prishja e ndërtimeve pa leje

1. Në rastet kur tejkalohet 2% e sipërfaqes totale ndërtimore, konfiskohet pjesa pa leje për interes publik apo strehim social.

2. Kur tejkalohet 10%, konfiskohet i gjithë objekti ose urdhërohet prishja.

3. Shpenzimet e prishjes dhe pastrimit të inerteve paguhen nga ndërtuesi dhe ekzekutohen me bllokim llogarish bankare.

4. Nëse objekti nuk përputhet me projektin arkitektonik, ndërtuesi detyrohet të korrigjojë brenda 90 ditëve, përndryshe objekti konfiskohet për interes publik.

Përjashtime dhe “Lista e zezë”

1. Krijohet një “listë e zezë kombëtare” me ndërtues, shoqëri apo individë që shkelin ligjin e ndërtimit.

2. Ata përjashtohen nga marrja e lejeve për 5 vjet.

Në listë përfshihen ata që kanë kryer shkelje të rënda teknike e ligjore; janë dënuar për vepra penale në ndërtim; kanë shitur të njëjtin apartament më shumë se një herë; kanë pasur ndërtime objekt konfiskimi ose prishjeje.

Ndëshkim për punonjësit publikë

1. Nëse një punonjës shteti përfshihet në ndërtim pa leje, konsiderohet shkelje shumë e rëndë dhe hiqet menjëherë nga puna; nuk mund të punojë në administratë për 7 vjet.

Rregulla të tjera të reja:

1. Ndalohet ndryshimi i funksionit të ndërtesës pa leje të re.

2. Lejet për mure rrethuese janë të detyrueshme dhe sipas modeleve tip.

3. Lejet në bregdet jepen vetëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKTU).

4. Punimet që nuk nisin brenda 1 viti nga miratimi i lejes, leja konsiderohet e pavlefshme.

5. IKMT mund të propozojë konfiskimin e objekteve me shkelje. (A2


Shtuar 7.10.2025 15:33